Shqipëria

Britania dhe Shqipëria firmosin marrëveshje për tre fusha kryesore bashkëpunimi


Në kuadër të rritjes së bashkëpunimit dypalësh mes Shqipërisë dhe Britanisë, krerët qeveritarë të të dyja vendeve kanë firmosur të martën e 13 dhjetorit, një marrëveshje e cila përfshin tre fusha kryesore me interes të përbashkët.

Lajmi u bë i ditur nga qeveria britanike, duke cituar marrëveshjen mes kryeministrit të Mbretërisë së Bashkuar, Rishi Sunak, dhe kryeministrit të Shqipërisë, Edi Rama.

Në marrëveshje nënvizohet dakordësia për çështjet e sigurisë dhe punët e brendshme, rritjen ekonomike dhe investimet, si dhe inovacionin, rininë dhe arsimimin.

Kjo deklaratë vjen në kuadër të angazhimit të të dy kryeministrave për zgjerimin dhe thellimin e marrëdhënieve tashmë të forta dypalëshe mes vendeve.

Kujtojmë që Mbretëria e Bashkuar dhe Shqipëria sapo kremtuan 100-vjetorin e marrëdhënieve diplomatike.

Në pikën e çështjeve të sigurisë dhe çështjet e brendshme, autoritetet britanike e cilësojnë Shqipërinë si “një vend me origjinë të sigurt”, sipas ligjit të Mbretërisë së Bashkuar.

“Ne jemi të përkushtuar për të forcuar më tej zbatimin e përbashkët të angazhimeve tona ndërkombëtare veçanërisht në fushën e kontrollit kufitar, të luftës kundër krimit të organizuar, duke përfshirë trafikimin dhe shfrytëzimin e qenieve njerëzore në të gjitha format e tij, dhe migrimin e paligjshëm”, vëren deklarata zyrtare.

Marrëveshja dypalëshe zyrtarizon sakaq edhe formimin e një Taske Force të përbashkët në nivel të Ministrive të Brendshme.

Kjo, me objektivin e parandalimit, ndërprerjes së migracionit të paligjshëm dhe për të depërtuar në rrjetet kriminale.

Në kuadër të kësaj Task Force, palët pritet të forcojnë bashkëpunimin në nivel operacional, duke përfshirë ndarjen efektive të të dhënave dhe më shumë ekipe të përbashkëta operacionale.

Lidhur me riatdhesimet, Britania thotë se kjo marrëveshje do të rrisë kthimet në Shqipëri duke përfshirë ata mbi 18 vjeç, të cilët janë identifikuar nga autoritetet britanike si viktima të skllavërisë moderne dhe qenieve njerëzore.

Të dyja qeveritë do të raportojnë për zbatimin e marrëveshjeve për kthimin dhe trajtimin e azilkërkuesve nëpërmjet një Komiteti të Përbashkët Mbikëqyrës, në nivel të Ministrive të Brendshme nga fundi i janarit të vitit 2023.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore