Lajme

Brazil/ Ministri: Duhen 10 miliardë dollarë për të arritur zero emetime


Ministri i Mjedisit i Brazilit, Ricardo Salles, ka deklaruar të shtunën e 17 prillit, se vendi ka nevojë për 10 miliardë dollarë në vit, për ndihmë të huaj, në mënyrë që të arrijë zero emetime deri në vitin 2050.

Ky veprim do të thotë që Brazili mund ta arrijë këtë shifër 10 vite më herët sesa ishte planifikuar.

Kjo deklaratë u bë një javë përpara takimit të nivelit të lartë me presidentin e SHBA-së, Joe Biden.

Politikat mjedisore të Brazilit kanë sjellë dënime ndërkombëtare, që kur presidenti Jair Bolsonaro mori detyrën dy vjet më parë.

Ai ka inkurajuar aktivitetet e bujqësisë dhe minierave në Amazona, pylli më i madh në botë.

Salles tha se 1 miliard dollarë do të përdoren për të arritur zero shpyllëzime të paligjshme në Amazona deri në vitin 2030.

Ai shtoi se, një e treta e parave, do të përdorej për të rekrutuar më shumë agjentë mjedisorë, potencialisht nga policia ushtarake kombëtare.

Ndërsa pjesa tjetër e parave, sipas tij, do të përdoret për të investuar në zhvillimin e qëndrueshëm të Amazonës.

Ministri u shpreh se nuk pret që një marrëveshje të bëhet përpara samitit virtual të javës së ardhshme.

Thirrja e tij për ndihmë të huaj vjen ndërsa qeveria e Bolsonaro-s po përpiqet të negociojë një marrëveshje me SHBA-në, në të cilën ajo do të merrte ndihmë financiare në këmbim të mbrojtjes së Amazonës.

Masa është kritikuar nga ambientalistët dhe grupet autoktone. Ato shprehen se nuk janë këshilluar për planet.

Një raport nga Agjencia Hapësinore e Brazilit lëshuar në vitin 2020, tha se shpyllëzimi i Amazonës ishte rritur në nivelin më të lartë në 12 vjet.

Bolsonaro është përplasur më parë me raportet e Agjencisë rreth të dhënave të shpyllëzimit, duke e akuzuar atë për njollosjen e reputacionit të Brazilit.

Zëvendëspresidenti Hamílton Mourão tha se Brazili ka një qëllim të caktuar, për të zvogëluar shpyllëzimet ilegale me 15-20% në vit, në mënyrë që ta eliminojë atë deri në vitin 2030.

Ai tha se shënjestra u përmend në një letër dërguar nga Bolsonaro për Biden në fillim të kësaj jave.

Amazona është shtëpia e rreth tre milionë specieve të ndryshme të bimëve e të kafshëve, si dhe shtëpia e një milion njerëzve autoktonë.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore