Lajme

Bozoviç: Trupat malazeze të KFOR-it do t’ia forconin ndjenjën e sigurisë serbëve në Kosovë


Bogdan Bozoviç

Bogdan Bozoviç, kandidat për deputet në zgjedhjet parlamentare të 11 qershorit në Mal të Zi, konsideroi se shteti malazez duhet të përfitojë nga pjesëmarrja në organizatat ndërkombëtare për të dërguar ushtarë në Kosovë në kuadër të misionit paqeruajtës të NATO-s (KFOR).

Bozhoviç, duke komentuar lajmet se një batalion i këmbësorisë turke është nisur në Kosovë për të mbështetur KFOR-in pas tensioneve në pjesën veriore të Kosovës, në rrjetet sociale ka kërkuar nga shtetarët malazezë që Mali i Zi të dërgojë disa ushtarë në Kosovë, transmeton gazeta malazeze “Pobjeda”.

“Jam i sigurt se kontigjenti i ushtrisë malazeze do të bënte shumë për ndjenjën e sigurisë së pakicës serbe në Kosovë, si dhe për mbrojtjen e vendeve të shenjta të Kishës Ortodokse Serbe”, theksoi Bozoviç, ndërsa shtoi se në këtë mënyrë Mali i Zi do të tregohej partner i besueshëm i NATO-s.

Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s, Jens Stoltenberg, deklaroi ditë më parë se Aleanca Veri-Atlantike ka vendosur të dislokojë 700 trupa të tjera nga Forca Operacionale për Ballkanin Perëndimor në Kosovë dhe ka vendosur gjithashtu një batalion shtesë të forcave të NATO-s në gatishmëri të lartë.

Ndryshe, tensionet janë kthyer në pjesën veriore të Kosovës – Leposaviq, Zveçan dhe Zubin Potok – pas zgjedhjeve lokale të 23 prillit për katër kryetarët e komunave në veri të vendit, të cilat i fituan kandidatët shqiptarë nga Lëvizja Vetëvendosje dhe Partia Demokratike e Kosovës.

Serbët lokalë janë duke protestuar çdo ditë që prej 29 majit në këto komuna të banuara me shumicë serbe, për të kundërshtuar hyrjen e kryetarëve të rinj shqiptarë në objektet komunale. Nga ana tjetër, komuniteti ndërkombëtar ka bërë thirrje të vazhdueshme për marrjen e hapave drejt uljes së tensioneve.

Në veri ende ekziston pak ose aspak rendi publik, udhëheqja nuk gëzon as autoritet, as besnikëri, ndërsa një numër grupesh dhe fraksionesh i kërcënojnë me rezistencë autoritetet kosovare që mundohet të integrojnë komunitetin komunitetin serb dhe të vendosin një rend efektiv.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore