Lajme

Boshllëqet në identifikimin e të zhdukurve të luftës në Ukrainë


Flitet për afro 200 mijë ushtarë rusë të vdekur në Ukrainë, por kërkimi i atyre që “janë zhdukur në aksion” është një sprovë për familjet.

Ndaj familjet e ushtarëve ukrainas dhe rusë janë bashkuar nga kalvari i kërkimit të të dashurve të tyre për të cilët nuk ka më asnjë lajm.

Gati një vit pas pushtimit rus të Ukrainës, ka humbje të mëdha midis trupave të Moskës.

Referuar Ministrisë britanike të Mbrojtjes, mund të arrijnë në 175 deri në 200 mijë, duke përfshirë ushtarë të rregullt dhe mercenarë, nga të cilët janë 40 deri në 60 mijë të vdekur.

Vlerësimi është rritur ndjeshëm që nga shtatori i vitit të kaluar, kur Federatës Ruse iu imponua një “mobilizim i pjesshëm”, i cili rezultoi në dërgimin e ushtarëve të pajisur keq dhe të patrajnuar në front.

Wagner ka vendosur një numër të madh burrash të rekrutuar nga radhët e të burgosurve.

Nga SHBA-të, zëdhënësi i Këshillit të Sigurisë Kombëtare John Kirby ka folur për mbi 30 mijë humbje për grupin rus, me rreth nëntë mijë luftëtarë të vrarë në aksion.

Dhe se nga dhjetori 2022, 90 për qind e mercenarëve të vrarë në betejë ishin ish të dënuar.

Bilanci i humbjeve ruse në Ukrainë është konfirmuar nga Departamenti Amerikan i Shtetit, për të cilin ka pasur mbi 200 mijë të vdekur dhe të plagosur, ndërsa më shumë se një milion rusë janë larguar nga Federata për shkak të luftës.

“Në terren ekziston një problem objektiv i identifikimit të atyre që tërhiqen nga pozicionet e tyre ose njësive të vogla që mbeten të izoluara në fushën e betejës. Askush nuk i pa të vdekur dhe nuk figurojnë në listat e të burgosurve”, ka thënë Gianandrea Gaiani, drejtor i “Analisi Difesa”.

Shumë varet nga teknikat diagnostike për verifikimin e identitetit, sipas profesor Antonio Oliva, profesor i Mjekësisë Ligjore.

“Ka njësi speciale të dërguara nga secila prej palëve në konflikt për rikuperimin e mostrave organike. Protokollet ndiqen. Para së gjithash, në trupa kërkohen tipare dalluese si tatuazhe ose vraga të veçanta. Ose duke përdorur të dhënat dentare”, ka treguar ai.

Referuar profesorit, në praktikë zbatohen të gjitha informacionet e transferuara nga anëtarët e familjes. Por elementi vërtet vendimtar është marrja e mostrave biologjike për ekzaminimin e ADN-së për t’u krahasuar me vëllezërit, motrat, fëmijët, prindërit e ushtarëve.

Gaiani vazhdon duke thënë se ushtarët e plagosur që vdiqën më vonë nga bombardimet u vendosën në minierat e kripës Soldar.

Shumë familje janë në dëshpërim sepse nuk ka më asnjë gjurmë nga më të dashurit e tyre. Në Donbass shumë brigada për të mbajtur pozicione janë shkatërruar nga artileria dhe thuhet se pjesët e trupit janë të shpërndara në fusha.

Në Lugansk ka vende të izoluara, secila me 19, 20 kufoma ushtarësh të vrarë në luftime.

“Është e nevojshme që një organ neutral siç është Kryqi i Kuq të kujdeset për mbajtjen e evidencave të paanshme të atyre që janë zhdukur në konflikt. Në pozicionet e shkatërruara nga zjarri i artilerisë është shumë e vështirë të kompozohen trupat”, ka thënë ai.

Në Poliklinikën Gemelli në Romë, profesor Vincenzo Pascali drejton Institutin e Mjekësisë Ligjore.

“Mungesa në veprim është një problem shumë kompleks. Ka ende profile në një fazë kërkimore aktive dekada pas përfundimit të luftërave në Kore dhe Vietnam”, ka thënë ai.

Profesoresha Cristina Cattaneo është mjekja ligjore që ka kohë që punon për të përmendur disa nga emigrantët e shumtë që janë zhdukur në Mesdhe.

Ajo drejton Laboratorin e Antropologjisë dhe Odontologjisë Ligjore të Universitetit të Milanos, themeluar në vitin 1995. I përbërë nga mjekë ligjorë, odontologë, biologë dhe ekspertë të tjerë, laboratori merret me studimin të mbetjeve njerëzore.

Ekspertët janë në gjendje të gjurmojnë te kufomat kohën e vdekjes, shkaqet e vdekjes dhe të dhëna të tjera mjeko-ligjore. Laboratori ka kryer mbi 900 autopsi për llogari të prokurorëve të Italisë dhe Zvicrës.

“Familjet ofrojnë të dhëna për t’u krahasuar me mbetjet e gjetura. Nëse kemi të bëjmë me ushtarë, ne i kërkojmë në mënyrë të synuar dhe kemi më shumë informacion”, ka treguar ajo.

“Jo të gjithë të zhdukurit janë të vdekur. Disa humbasin, nuk kthehen ose shtrohen në spital pa kujtesë dhe nuk kanë etiketa identifikimi në qafë”, ka shtuar profesoresha.

Ndërkaq, mediat më të drejtpërdrejta të përfshira në konfliktin ruso-ukrainas janë plot me dëshmi nga familjarët që nuk kanë asnjë lajm për të dashurit e tyre që u larguan për në front.

Më 13 mars 2022, familja humbi kontaktet me ushtarin Badri Lolashvili. Për gati dy muaj, familja e tij e kërkonte në burgjet ruse, duke shpresuar se ai ishte ende gjallë.

Megjithatë, trupi u gjet në një llogore pylli pranë fshatit Moshchun në rajonin e Kievit, ku ai luftoi betejën e tij të fundit.

Pas vdekjes së vëllait të tij, Pavlo Lolashvili u bë në mënyrë të pavullnetshme ekspert për gjetjen e personave të zhdukur. Së bashku me njerëzit që e ndihmojnë në misionin e tij për t’iu përgjigjur familjeve të dëshpëruara, ai po punon për të krijuar një bazë të dhënash të automatizuar që përmban emrat e të gjithë njerëzve, kontakti i të cilëve është humbur.

Por do të duhet vite për të krijuar një bazë të dhënash të unifikuar të automatizuar.

Pas varrimit kaluan disa muaj. Pavlo dhe nëna e tij Larysa krijuan një fond bamirësie me emrin Badri Lolashvili. Tani ai është i angazhuar në rregullimin e një kompleksi memorial në pyllin Motsyk, ku u zhvilluan beteja të ashpra për kontrollin e Kievit.

Po ashtu është duke bashkuar familjet që kanë humbur të dashurit në Moshchun. Pavlo, së bashku me specialistë të tjerë dhe të afërm të të zhdukurve, u organizua dhe krijoi një grup pune.

Ai po punon me deputetin Anatoliy Ostapenko për të përmirësuar legjislacionin dhe për ta bërë më të shpejtë dhe më të organizuar procedurën për gjetjen e personave të zhdukur.

“Ukraina ka një ligj për statusin ligjor të personave të zhdukur në rrethana të veçanta. Është miratuar në vitin 2018. Por nuk është zbatuar plotësisht për arsye të ndryshme. Aktualisht po punojmë për të mbushur boshllëqet dhe për të automatizuar procesin sa më shumë që të jetë e mundur”, ka treguar Pavlo.

Ai kërkon të krijojnë një lloj sistemi CRM që përmban informacione për të gjithë të humburit.

Ligji duhet të detyrojë departamentet përkatëse të Ministrisë së Mbrojtjes që të fusin informacionin sapo të humbasin kontaktin me një ushtar. Pas kësaj, informacioni do të shkojë automatikisht në polici, qendrën territoriale të rekrutimit dhe mbështetjes sociale dhe shërbimet e tjera të përfshira në kërkim.

“Deputeti Ostapenko po konsultohet me përfaqësuesit e Ministrisë së Transformimit Digjital për të kuptuar se sa është e mundur të automatizohet procesi, në mënyrë që një person të shohë fazën e kërkimit të të afërmit të tij të zhdukur”, ka shtuar ai.

Sipas tij, grupi i punës tashmë ka krijuar një algoritëm veprimesh: kush duhet të bëjë çfarë dhe kur. Tani është e nevojshme të zhvillohet vetë sistemi i automatizuar, të bëhen ndryshimet e duhura në legjislacion, të fillohet dhe të rregullohet procesi.

Fatkeqësisht, kjo mund të zgjasë me vite. Në të njëjtën kohë, çdo ushtar duhet të kujdeset për disa gjëra para se të shkojë në luftë.

Pavlo rekomandon kryerjen e testit të ADN-së. Në rast tragjedie, do të lehtësojë kërkimet. Rekomandohet gjithashtu të shkruhet një e ashtuquajtur “letra e fundit”, e cila tregon qartë se kush do të marrë njoftime dhe pagesa në rast vdekjeje.

Në fund të nëntorit 2022, më shumë se 15 mijë njerëz ishin të zhdukur. Por në realitet është e vështirë të llogaritet numri i tyre, pasi ka ende territore të pushtuara përkohësisht në të cilat nuk mund të hyhet.

Pavlo ka treguar gjithashtu se shumë informacione janë në dispozicion në kanalet ruse Telegram dhe Tiktok. Ato mund të gjenden duke përdorur fjalët kyçe “të burgosur të Forcave të Armatosura të Ukrainës”. Rusët filmojnë ushtarët ukrainas të kapur dhe vrarë dhe postojnë gjithçka në internet.

Natyrisht, një kërkim i këtij lloji kërkon forcë të madhe emocionale. Por policia rrallë shqyrton një përmbajtje të tillë, e cila mund të jetë e vlefshme.

“Duke ecur gjatë gjithë kësaj rruge, sot u rekomandoj njerëzve që të kërkojnë të afërmit e tyre mes të vdekurve. Shumica e njerëzve, si ne, besojnë në më të mirën dhe thjesht telefonojnë spitalet dhe kontrollojnë të burgosurit. Por trupi mund të jetë në morg mes të paidentifikuarve ose nën rrënoja ose të varrosur në vend”, ka paralajmëruar Pavlo.

Nëse është e mundur, “shko atje dhe fol me vendasit”. Ata mund të jenë në gjendje të identifikojnë një person nga një foto dhe t’ju tregojnë disa detaje.

“Sigurisht që pas çlirimit të territorit aty do të punojnë policia, Sigurimi dhe ushtria. Por të gjithë do të jenë të interesuar për informacionin e tyre. Dhe nëse një person vjen me një foto të të afërmit të tij, dikush nga komuniteti lokal mund të kujtojë diçka dhe të na thotë”, ka shtuar ai.

Marrë nga “La Stampa”, përshtatur për “Albanian Post”.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore