Lajme

Borrell për sanksionet e SHBA-së: Shkatërrimi i grupeve kriminale kontribuon në siguri e stabilitet


Përfaqësuesi i Lartë i Bashkimit Evropian për Politikë të Jashtme dhe Çështje të Sigurisë, Josep Borrell

Përfaqësuesi i Lartë i Bashkimit Evropian për Politikë të Jashtme dhe Çështje të Sigurisë, Josep Borrell, teksa ka mirëpritur sanksionimin e disa serbëve nga Kosova, të cilët, sipas Shteteve të Bashkuara të Amerikës janë pjesë e një grupi të krimit të organizuar, ka thënë se shkatërrimi i grupeve të tilla kontribuon në sigurinë dhe stabilitetin e rajonit.

Kështu është shprehur ai përmes një postimi në llogarinë e tij në Twitter, teksa shtoi se BE-ja mbetet e përkushtuar në ndjekjen e objektivave të përbashkëta.

“Ky përcaktim nga SHBA-të është një hap i rëndësishëm në luftimin e krimit të organizuar në Ballkanin Perëndimor. Shpërbërja e rrjeteve kriminale transnacionale i kontribuon sigurisë stabilitetit, dhe përmison sundimin e ligjit në tërë rajonin”.

“Bashkimi Evropian është plotësisht i angazhuar në ndjekjen e këtij objektivi të përbashkët”, ka shkruar Borrell.

Në njoftimin e Departamentit Amerikan i Thesarit për Kontrollin e Pasurive të Huaja thuhet se Zvonko Veselinoviç si lider i Grupit të Organizuar Kriminal, është një nga figurat më të korruptuara dhe famëkeqe të Kosovës.

“Veselinoviç është e përfshirë në skemë të gjerë të ryshfetit me zyrtarë kosovarë dhe serbë të sigurisë të cilët e lehtësojnë trafikimin e paligjshëm të mallrave, parave, narkotikëve dhe armëve mes Kosovës dhe Serbisë”, thuhet në njoftimin e Departamentit.

Zvonko Veselinoviç dhe Milan Radojçiç

Përveç tij në listë janë edhe i vëllai Zharko Veselinoviç, pastaj Zhelko Bojiç, Milan Mihajloviç, Sinisha Nedeljkoviç, Radovan Radiç, Milan Radisavleviç, Milojko Radisavleviç, Milan Radojçiç, Marko Rosiç, Radule Steviç, Milivoje Vuloviç.

Grupi akuzohet pos tjerash për marrëveshje me politikanët për të ndihmuar fitoren e tyre në zgjedhje dhe mbështetjen financiare për ta.

Në këmbim, politikanët do t’u jepnin vëllezërve kontratat më të mira të infrastrukturës dhe kontrollin e zonave të caktuara për bizneset e tyre.

“Veselinoviç dhe grupi i tij u paditën për përfshirjen e tyre të dyshuar në vrasjen e liderit politikë serb në Kosovë, Oliver Ivanoviç në janar të vitit 2018. Veselinovic dhe anëtarët e tjerë të tjerë të grupit, Milan Rajko Radojçiç, Zeljko Bojiç dhe Marko Rosiç, të gjithë u përmendën në aktakuzë për vrasjen, secili duke shërbyer rolin e tij në atentatin për ndërmarrjen kriminale”, vazhdon njoftimi.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore