Kosova

Bombë e pashpërthyer në zyrën Komisionit Komunal Zgjedhor në Mitrovicë? Po presin që KFOR-i ta çmontojë


Foto nga vendi i ngjarjes

Dyshohet se sot në objektin e Komisionit Komunal Zgjedhor në pjesën veriore të Mitrovicës janë hedhur dy mjete shpërthyese, njëra prej të cilave ka shpërthyer, ndërsa tjetrën, të pashpërthyer, pritet ta largojë në çdo moment KFOR-i, kanë raportuar mediat në Veri, por ende nuk është konfirmuar nga Policia e Kosovës.

Njësitet e Policisë së Kosovës dhe EULEX-it sonte po bëjnë sigurimin e objekteve të Komisionit Komunal të Zgjedhjeve në rrugën Kolashinska, të cilat janë dëmtuar pasditen e sotme.

Siç ka raportuar media Kossev në Veri, gjatë ngjarjes së sotme në këto zyra janë hedhur dy pajisje, njëra prej të cilave ka shpërthyer.

Policët e EULEX-it sigurojnë vendin e ngjarjes deri në mbërritjen e ekipit të deminimit të KFOR-it, pikërisht për shkak se dyshohet se ende ka një bombë në objekt.

Policia e Kosovës në ndërkohë njoftoi se dëmtimi i zyrave të komisionit zgjedhor komunal në pjesën veriore të Mitrovicës është shkaktuar nga “të dyshuarit/grupet e maskuar të dhunshëm, të cilët kanë përdorur armë të rrezikshme, duke përfshirë edhe granata dore të prodhimit jugosllav”.

Eulex dhe kp përballë zyrës zik severna mitrovica
Foto nga vendi i ngjarjes

Ata po ashtu kanë bërë të ditur se Policia e Kosovës dhe ekipi kompetent i KFOR-it për deminim-EOD janë duke hetuar vendin e ngjarjes për pastrimin e zonës.

Ata saktësuan se PK-ja është duke punuar intensivisht në identifikimin e të dyshuarve dhe duke kryer hetime për kapjen e autorëve.

Policia e Kosovës sonte ka mohuar deklaratatat e të ashtuquajturës së Zyrës për Kosovë në Qeverinë e Serbisë, duke treguar se ato janë të pavërteta dhe tendencioze.

Ekskluzive: 300 të armatosur në Veri, raportet e inteligjencës zbulojnë grupin paramilitar

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore