Vende

Boja e fytyrës dhe veshja tradicionale transformojnë nusen nga Chicago në Kosovë


Melissa Guerrero, një shtetase amerikane me origjinë meksikane

Për boshnjakët në Donje Ljubinje, një fshat në Komunën e Prizrenit, ceremonia e martesës është art, shkruan prestigjiozja “Reuters”.

Duke ruajtur traditën shekullore, ngjarja e cila zgjat dy ditë është një festival muzike dhe vallëzimi ku qendra e vëmendjes është te nusja me kostumin tradicional boshnjak.

Amerikania Melissa Guerrero për herë të parë kishte shkuar në këtë fshat për të takuar familjen e të dashurit të saj në vitin 2013, ku mori pjesë edhe në një dasmë tradicionale. Dasmë nga e cila ishte mahnitur aq shumë sa edhe vet filloi të ëndërronte për një ceremoni të ngjashme.

Javën e kaluar Melissa, 30 vjeçe, e realizoi atë ëndërr.

Melissa Guerrero, një shtetase amerikane me origjinë meksikane, e veshur me grim dhe kostum tradicional, është përgatitur për ceremoninë e saj të dasmës në fshatin Donje Ljubinje, afër Prizrenit, Kosovë, 5 gusht 2022.

E veshur nga koka te këmbët me kostum tradicional, fytyra e saj e lyer deri në detaje me pika të kuqe, të kaltra, ari dhe argjendi, e bënë atë gati për tu martuar me Melsid Rexhepin, i cili është nga një familje boshnjake në Kosovë. Ai ishte shtatë vjeç kur filloi lufta në Kosovë dhe familja e tij u shpërngul në Shtetet e Bashkuara.

Ndërsa Melissa përgatitej për ceremoninë e dasmës, muzika e fortë e daulleve luante teksa një grua e moshuar lyente fytyrën e saj, një proces që zgjat rreth dy orë gjatë së cilit nusja nuk mund të hapë sytë, të flasë të hajë apo pijë. Kuzhinierët që kishin therur një dem të madh përgatitën ushqim për një festë për qindra njerëz.

“Kur erdha për herë të parë në vitin 2013, isha dëshmitare e një dasme këtu dhe thjesht mendova se ishte kaq e pasur dhe kaq e veçantë dhe është diçka që nuk e kisha parë kurrë askund tjetër në botë,” tha Melissa, e cila me profesion është dizajnere grafike.

E lindur dhe e rritur në Meksikë deri në moshën 11 vjeçare kur familja e saj vendosi të emigronte në Shtetet e Bashkuara. Ajo u takua me Melsidin në shkollën fillore në Çikago.

“Të gjitha ato linja dhe ato ngjyra në fytyrën e nuses simbolizojnë një përvojë që i bie të jetë lumturia, dashuria, respekti, harmonia e kështu me radhë”, tha Xhavit Rexhepi, një ish-profesor i biologjisë, i cili ka shkruar një libër mbi traditat lokale në këtë zonë.

Melissa Guerrero

Megjithëse piktura dhe kostume të ngjashme të fytyrës, të cilat janë me origjinë pagane, mund të gjenden në komunitete të tjera në vende si Shqipëria, Maqedonia e Veriut, Bullgaria dhe Turqia, Rexhepi tha se dizajnet e fustaneve të nusërisë në fshatin e tij janë unike.

Popullsia e Donje Ljubinjes është përgjysmuar, 20 vjet më parë ishin rreth 3 mijë banorë dhe tani po aq shumë kanë emigruar jashtë vendit. Korriku dhe gushti janë muajt më të ngarkuar për dasma pasi shumë njerëz të lidhur me fshatin kthehen për ta vizituar, në këtë kohë ka nga një dasmë çdo ditë, madje ndonjëherë edhe dy brenda ditës.

“Sapo të lindësh këtu, nuk mund të dalësh prej saj”, tha Melsidi, dhëndri.

Megjithatë, çdo vit gjithnjë e më pak njerëz dëshirojnë këtë lloj dasme tradicionale dhe ka mbetur vetëm një grua që bën grimin.

Aziza Sefitagic, e cila është në fund të të 60-ave, është përpjekur t’ua mësojë artin e saj grave të tjera në fshat, por shumica e tyre kanë emigruar në vendet perëndimore. “Unë vetëm shpresoj se kjo traditë nuk do të vdesë me mua”, tha Sefitagic ndërsa pikturonte fytyrën e Melisës.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore