Lajme

Blinken uron 17 Shkurtin: Pavarësia dhe sovraniteti i Kosovës janë të pacenueshme


Anthony Blinken

Sekretari i amerikan i Shtetit, Anthony Blinken, ka uruar qytetarët e Kosovës në 14 vjetorin e pavarësisë, kështu duke ritheksuar faktin se Shtetet e Bashkuara të Amerikës qëndrojnë në krah të Kosovës për të ndërtuar një të ardhme më të mirë për qytetarët e saj.

Blinken përmes një deklarate ka potencuar se pavarësia dhe sovraniteti i Kosovës janë të pakthyeshme dhe të pacenueshme, duke bërë të qartë se ndërtimi i institucioneve demokratike dhe gjithëpërfshirëse kërkon këmbëngulje.

“Partneriteti i qëndrueshëm ndërmjet Shteteve të Bashkuara dhe Kosovës i ka rrënjët në vlerat tona të përbashkëta demokratike. Si një nga demokracitë më të reja në botë, Kosova dhe qytetarët e saj me të drejtë janë krenarë për përparimin që keni bërë gjatë këtyre 14 viteve. Ne jemi krenarë t’ju mbështesim në këtë përpjekje”, thuhet në deklaratën e sekretarit amerikan, Blinken.

Për Blinken Shtetet e Bashkuara qëndrojnë në krah të Kosovës derisa ajo punon për të ndërtuar një të ardhme më të mirë për qytetarët e saj.

“Ne presim që Kosova me të drejtë të zërë vendin e saj përkrah fqinjëve të saj në institucionet evropiane dhe euroatlantike dhe ritheksojmë mbështetjen tonë për dialogun e lehtësuar nga BE-ja, si mënyrë për të arritur një marrëveshje për marrëdhëniet e normalizuara, të përqendruara në njohjen reciproke”, thuhet në deklaratën e sekretarit amerikan”.

Ai po ashtu thekson se SHBA-të i janë mirënjohës lidershipit të Kosovës për bujarinë e treguar në pritjen e afganëve të cenueshëm dhe kontributin e Kosovës për sigurinë dhe stabilitetin global.

“Iu uroj paqe, prosperitet dhe shëndet të mirë popullit të Kosovës, ndërsa vazhdoni rrugëtimin tuaj demokratik. Ne do ta forcojmë miqësinë tonë të palëkundur, së bashku”, thuhet në fund të deklaratës së Blinken në 14 vjetorin e pavarësisë së Kosovës.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore