Lajme

Blinken: Rusia duhet të largohet nga Këshilli i OKB-së për të Drejtat e Njeriut


Sekretari Amerikan i Shtetit, Antony Blinken, ka hedhur idenë e largimit të Rusisë nga Këshilli i OKB-së për të Drejtat e Njeriut.

“Me arsye mund të ngrihet pyetja nëse një shtet anëtar i OKB-së që përpiqet të marrë nën kontroll një shtet tjetër anëtar të OKB-së, duhet të lejohet të qëndrojë në këtë këshill”, ka thënë Blinken.

Në këshill janë 47 shtete anëtare, të cilat zgjidhen nga Asambleja e Përgjithshme e OKB-së, ku një prej tyre është Rusia.

Ndër të tjera, Blinken-i ka kritikuar vende si Kina, të cilat nuk e kanë deklaruar qartë se Rusia është autori i vetëm i kësaj krize.

“Anëtarët e këshillit duhet të ndalojnë përdorimin e gjuhës që nënkupton se të gjitha palët mbajnë përgjegjësi të barabartë për sulmin e paprovokuar të njërës palë”, ka bijuar ai.

Sipas tij, kjo nuk është e paanshme dhe nuk arrin të vendosë përgjegjësinë aty ku duhet.

“E njëjta gjë vlen edhe për anëtarët që argumentojnë se denoncimi i shkeljeve të të drejtave të njeriut po politizon situatën”, ka shtuar ai.

Blinken-i, sakaq, e ka sfiduar UNHRC-në që të bashkohej për të parandaluar një luftë edhe më vdekjeprurëse.

“Këto janë shkeljet e të drejtave të njeriut që ky këshill është krijuar për të ndaluar. Nëse nuk mund të bashkohemi tani, kur do të bashkohemi?”, ka pyetur Blinken.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore