Lajme

Blinken mbërrin në Jordani në mes të konfliktit Izrael-Hamas


Sekretari amerikan i Shtetit, Antony Blinken, ka mbërritur në kryeqytetin e Jordanisë, Amman, pas bisedimeve në Izrael.

Blinken zgjati udhëtimin e tij në Izrael dhe Jordani për të përfshirë kombet arabe të Katarit, Arabisë Saudite, Emiratet e Bashkuara Arabe dhe Egjiptin.

Diplomati më i lartë amerikan “do të udhëtojë në Izrael, Jordani, Katar, Arabinë Saudite, Emiratet e Bashkuara Arabe dhe Egjipt nga 11-15 tetor 2023, ku do të takohet me zyrtarë të lartë”, ka deklaruar zëdhënësi i Departamentit të Shtetit, Matthew Miller.

Blinken do të përsërisë “dënimin e tij të sulmeve terroriste në Izrael në termat më të fortë”, ka thënë Miller.

Po ashtu ai ka shtuar se sekretari “do të riafirmojë gjithashtu solidaritetin e SHBA-ve me qeverinë dhe popullin e Izraelit”.

“Sekretari do të angazhojë partnerët rajonalë në përpjekjet për të ndihmuar në parandalimin e përhapjes së konfliktit, për të siguruar lirimin e menjëhershëm dhe të sigurt të pengjeve dhe për të identifikuar mekanizmat për mbrojtjen e civilëve”, ka vijuar Miller.

Blinken mbërriti në Izrael për të treguar mbështetjen e SHBA-ve pas sulmit nga grupi palestinez Hamas gjatë fundjavës.

“Mesazhi që unë sjell me vete është ky: ju mund të jeni mjaftueshëm të fortë për të mbrojtur veten, por për sa kohë që Amerika ekziston, nuk do të duhet kurrë”, ka theksuar ai.

Hamasi nisi ofensivën kundër Izraelit të shtunën në një sulm të befasishëm të shumëfishtë që përfshinte një breshëri lëshimesh raketash dhe infiltrimesh në Izrael nëpërmjet tokës, detit dhe ajrit.

Hamasi ka thënë se operacioni ishte në hakmarrje për sulmin ndaj Xhamisë Al-Aksa në Jerusalemin Lindor të pushtuar dhe dhunës në rritje të kolonëve izraelitë kundër palestinezëve.

Ushtria izraelite më pas nisi operacionin kundër objektivave të Hamasit brenda Rripit të Gazës.

Përgjigja e Izraelit është shtrirë në ndërprerjen e furnizimit me ujë dhe energji elektrike në Gaza, duke përkeqësuar më tej kushtet e jetesës në një zonë që është përfshirë nga një rrethim gjymtues që nga viti 2007.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore