Lajme

Bislimi: Vizat s’duhet të keqpërdoren – tensionet për targat ishin të panevojshme


Besnik Bislimi

Zëvendëskryeministri i Kosovës për Integrim, Zhvillim dhe Dialog, Besnik Bislmi, nëpërmjet një postimi në “Facebook” të hënën, ka thënë se 1 janari 2024 ka shënuar fillimin e proceseve të rëndësishme për vendin dhe për më tepër, procese të cilat, sipas tij, po ndodhin për herë të parë.

Ai ka përmendur lëvizjen e lirë të kosovarëve drejt vendeve të Bashkimit Evropian (BE) pa viza për qëndrime afatshkurtëra, njohjen e targave kosovare nga autoritetet serbe dhe zbatimin e marrëveshjes për energjinë elektrike për katër komunat veriore të vendit të banuara me shumicë serbe.

“Lëvizja e lirë pa viza filloi e qytetarët kanë nisur të përfitojnë nga kjo e drejtë e fituar me mund. Me rëndësi është të rikujtojmë se ajo duhet të shfrytëzohet pozitivisht, e jo të keqpërdoret. Ka rregulla brenda lirisë për të udhëtuar të cilat duhen respektuar e trajtuar me përgjegjësi”, ka shkruar ai.

“Nga sot, qytetarët tanë do të mund të lëvizin tashmë të padiskriminuar nga autoritetet serbe, me targat tona zyrtare RKS dhe pa vendosur ngjitëset në simbolet shtetërore në targat e veturave. Ky ishte pozicioni ynë që nga fillimi e kjo u realizua pas 2 vitesh tensione të panevojshme”.

“Gjithashtu, Elektrosever ka filluar nominimin e energjisë që konsumohet në katër komunat në veri, që nënkupton se nga sot pushojnë edhe devijimet e KOSTT-it. Pas më shumë se 20 vitesh, edhe në veriun e vendit tonë, do paguhet rryma njëjtë si në të gjithë territorin e Republikës së Kosovës”.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore