Kosova

Bislimi: Serbia dërgoi mbi 100 milionё dinarё në kufi pa asnjё koordinim – shkelje flagrante qё synon krijimin e tensioneve


Besnik Bislimi

Zëvendëskryeministri i Kosovës, Besnik Bislimi, nëpërmjet një postimi në “Facebook” të mërkurën, tha se transportimi i dinarëve nga Serbia në Kosovë nëpërmjet kompanive inekzistente paraqet shkelje flagrante të funksionalitetit të institucioneve të Kosovës dhe krijimin e tensioneve artificiale, derisa kërkoi që Serbia të dënohet nga bashkësia ndërkombëtare.

“Nuk ka dyshim se kjo dёrgesё e tillё, pa asnjё koordinim, paraqet njё hap unilateral tё Serbisё, me qёllim tё shkeljes flagrante tё funksionalitetit tё institucioneve tё Republikёs sё Kosovёs, synon krijim artificial tё tensioneve dhe si e tillë meriton tё dёnohet ashpёr nga gjithsecili qё kundёrshton hapat unilateral”, deklaroi zëvendëskryeministri kosovar të mërkurën pasdite.

Banka Popullore e Serbisë (NBS) deklaroi nëpërmjet një njoftimi për shtyp të mërkurën (7 shkurt) se autoritetet e Kosovës nuk lejuan që në territorin kosovar të futen dinarë të destinuara për të paguar rrogat, pensionet, ndihmat sociale dhe pagesat e tjera të Qeverisë së Serbisë brenda sistemit paralel për serbët që jetojnë në Kosovë, kryesisht në katër komunat veriore të vendit.

Bislimi theksoi se transportimi i parave nga Serbia mund tё bёhet vetёm nga institucionet financiare bankare dhe jo-bankare të licensuara nga Banka Qendrore e Kosovës (BQK), për ushtrimin e aktiviteteve financiare bankare dhe vetëm pas dhënies së licensës dhe autorizimit të veçantë me shkrim nga BQK-ja për këtë shërbim e jo pёrmes kompanive inekzistente.

“Paramendojeni njё paralele ku para inspektorit doganor, shfaqet njё kamion me mallra tё konsumit tё pёrditshёm, nga individё qё prezantohen nё emër tё kompanive inekzistuese, dhe pretendojnё qё mallin janё duke e dёrguar tek njё kompani, e cila poashtu nuk figuron askund nё regjistrat zyrtarё tё shtetit”, shtoi ndёr tё tjera zёvendёskryeministri kosovar.

Në Kosovë, më 1 shkurt, hyri në fuqi rregullorja e ndryshuar e BQK-sё, nëpërmjet së cilës synohet të ndalohet qarkullimi i dinarit serb, duke specifikuar se valuta e vetme që lejohet për pagesa/transaksione në vend është euro. Në zonat e banuara me shumicë serbe në Kosovë, përveç valutës euro, deri tani është përdorur edhe dinari nën sistemin paralel serb.

Në katër komunat veriore të Kosovës – Mitrovicë e Veriut, Leposaviq, Zveçan dhe Zubin Potok – çmimet nëpër dyqane janë shënuar me dinarë. Viteve të fundit është praktikuar edhe importimi i dinarëve nga Serbia, por nga 1 shkurti i këtij viti, kjo praktikë është ndalur, duke nxitur reagimin e autoriteteve serbe dhe bashkësisë së organizuar ndërkombëtare.

Bashkimi Evropian (BE) dhe Shtetet e Bashkuara të Amerikës (SHBA) akuzuan Qeverinë e Kosovës se nëpërmjet “lëvizjeve të njëanshme” është duke nxitur “tensione të panevojshme” në pjesën veriore të vendit të banuar me serbë etnikë, ndërsa kërkoi shtyrjen e zbatimit të rregullores së BQK-së nën arsyetimin se mund të ketë ndikim negativ te komuniteti serb në Kosovë.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore