Lajme

Bislimi: Mosnjohja e diplomave nxit shpërnguljen e shqiptarëve – Tolerimit të Serbisë duhet t’i vije fundi


Besnik Bislimi

Zëvendëskryeministri i Kosovës, Besnik Bislimi, në një intervistë për televizionin “RTV Aldi” të enjten, konsideroi se Serbia është një prej arsyeve kryesore që Ballkani Perëndimor ka ngecur në rrugën e integrimeve në Bashkimin Evropian (BE), derisa denoncoi mosrespektimin e të drejtave të komuniteteve në Serbi, posaçërisht qasjen agresive ndaj shqiptarëve.

“Një prej arsyeve që Ballkani Perëndimor është ende prapa në rrugën e integrimit në BE qëndron në faktin se ne kemi një fqinj, i cili nuk promovon vlerat evropiane dhe nuk ka zgjedhur rrugën e vlerave demokratike perëndimore, por ka zgjedhur rrugën e orientit apo bashkëpunimit me Rusinë”, deklaroi ai në një intervistë për televizonin nga Lugina e Preshevës.

“Një prej instrumenteve në funksion të diskriminimit është edhe mosnjohja e diplomave e cila haptazi synon shpërnguljen e heshtur të qytetarëve tanë nga Lugina e Preshevës. Kjo tregon se në çfarë mase Serbia e ka për zemër mbrojtjen e të drejtave të komuniteteve”, shtoi ndër të tjera zëvendëskryeministri kosovar, derisa përmendi edhe pasivizimin e adresave.

Lajmi shpresëdhënës për njohjen e diplomave të arsimit të lartë – një nga tri marrëveshjet e mobilitetit – të nënshkruara në kuadër të Procesit të Berlinit nga ana e liderëve të gjashtë vendeve të Ballkanit Perëndimor, nuk është duke gjetur zbatueshmëri në Serbi. Zëvendëskryeministri shprehu shpresën se durimit dhe tolerimit të BE-së ndaj Serbisë do t’i vije fundi.

Përfaqësuesit e shqiptarëve dhe boshnjakëve në Serbi kanë kërkuar vazhdimisht reciprocitet të të drejtave me serbët që jetojnë në Kosovë, pas pakënaqësive me statusin e tyre në përgjithësi, posaçërisht në Novi Pazar, Tutin e Sjenicë në Sanxhak dhe në Preshevë, Medvegjë e Bujanoc.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore