Kosova

Bislimi: Kosova përfiton mbi 130 milionë euro fonde nga BE-ja


Besnik Bislimi

Zëvendëskryeministri i parë i Kosovës, Besnik Bislimi, përmes një statusi në rrjetin e tij social në Facebook ka bërë të ditur se Kosova me miratimin në Qeveri të nismës për marrëveshjet financiare për IPA 2021, IPA 2022 dhe IPA II, do të përfitojë mbi 130 milionë euro fonde nga Bashkimi Evropian.

“Nga programet vjetore IPA 2021 dhe IPA 2022, Kosova përfiton përkatësisht 63.96 milionë për IPA 2021 dhe 70.25 milionë euro nga IPA 2022”, ka shkruar Bislimi.

Sipas tij këto para do të shërbejnë për zbatimin e projekteve si deminimi, përkrahja për komunat, instrumenti i përafrimit me BE-në, përkrahja për mjedisin, tregtia dhe tregu i brendshëm, përkrahja për bujqësinë dhe zhvillimin rural.

“Këto fonde gjithashtu do të shërbejnë për kthim dhe riintegrim të komuniteteve, përkrahja për profesionet e lira në Kosovë, energjia e gjelbër dhe efiçienca e energjisë, ekonomia qarkore dhe menaxhimi i mbeturinave, ujërat e zeza dhe zhvillimi gjithëpërfshirës socio-ekonomik”, ka shtuar ai.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore