Lajme

Biden nuk dëshiron të rrëzojë regjimin rus


“Për hir të Zotit, ky njeri nuk mund të qëndrojë në pushtet”.

Joe Biden u artikulua kështu, i qartë dhe i prerë, në një fjalim në Varshavë përpara qindra qytetarëve polakë dhe refugjatëve ukrainas.

Por, Shtëpia e Bardhë, nuk e cilëson si një dëshirë të presidentit për të zhbërë regjimin rus. Mesazhi i Biden, ai i vërtetë sipas deklaratës për shtyp nga Washingtoni, ishte fakti se asnjë Presidenti – përfshi Vladimir Putinin – nuk mund t’i lejojë vetes të ushtrojë fuqinë ushtarake në një vend fqinj.

Gjithsesi, retorika mbi largimin apo jo të Putinit nga Kremlini, nuk është se artikulohet për herë të parë nga Biden.

Nga ekspertët, “tërheqja” e Shtëpisë së Bardhë, shihet më së shumti si një përpjekje për të mos i nxehur tonet e konfliktit edhe më ashpër se sa janë. Putini është qartësisht në një qoshe, i izoluar nga bota sipas tyre dhe një presion i tillë i shtuar, mund të jetë edhe më fatal.

Për më tepër, nuk duhet harruar fakti se Rusia zotëron arsenal të rëndësishëm bërthamor.

Paralajmërimi

Biden, pati paralajmëruar homologun e tij rus dje, për avancimin e luftës drejt shteteve të NATO-s.

“Mos mendo të prekësh asnjë centimetër të vetëm të territorit të NATO-s”, theksoi presidenti amerikan.

Biden gjendej edhe në shoqërinë e udhëheqësit polak Andrzej Duda.

Fillimisht, presidenti amerikan sqaroi se pretendimi i Putin-it për “denazifikimin e Ukrainës është një gënjeshtër e turpshme”.

“Thjesht nuk ka asnjë justifikim apo provokim për zgjedhjen e Rusisë për luftë”, shtoi 79-vjeçari.

Në vijim të fjalës së tij, Biden kujtoi se ekonomia e Rusisë u rendit si ekonomia e 11-të më e madhe në botë përpara këtij pushtimi.

“Së shpejti nuk do të renditet as ndër 20 më të mirat në botë”, deklaroi presidenti amerikan.

Sipas tij, askush nuk duhet të dyshojë se kjo luftë ka qenë tashmë një dështim strategjik për Rusinë.

Në vijim, Biden theksoi se “Putin-i nuk mund të qëndrojë në pushtet”.

“Populli rus nuk është armiku ynë dhe Putin-i nuk mund të mbetet në pushtet”, ravijëzoi kreu i Shtëpisë së Bardhë.

Presidenti amerikan nënvizoi në përmbyllje se “beteja nuk do të fitohet me ditë dhe muaj, por duhet të përgatitemi për një betejë të gjatë përpara”.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore