Lajme

Biden mund të vizitojë Izraelin të mërkurën, sipas mediave izraelite


Izraeli po përgatitet për një vizitë të mundshme të presidentit amerikan Joe Biden që të mërkurën ose të enjten e kësaj jave, sipas raportimeve të mediave izraelite.

Lajmi u bë i ditur nga transmetuesi “I24 News” dhe gazeta “Haaretz”.

Më herët, Axios raportoi se shefi i Shtëpisë së Bardhë mund të shkojë në Izrael që javën e ardhshme, për të treguar mbështetjen e Amerikës ndaj Izraelit, në luftimet kundër Hamasit.

Planet e Biden për të vizituar Lindjen e Mesme, vijnë në një situatë e cila është jo vetëm më kaotikja, por edhe më e rrezikshmja dhe gjithëpërfshirësja e krijuar dekadat e fundit.

Presidenti i Shteteve të Bashkuara ka paralajmëruar se çdo pushtim izraelit i Gazës do të ishte “një gabim i madh”, pasi qeveria e Netanyahu-t përgatitet për një pushtim të mundshëm tokësor të territorit palestinez.

Në një videoklip të postuar nga CBS News’s 60 Minutes, Biden tha se ai mbështeste një korridor humanitar që do t’i lejonte njerëzit të dilnin nga Gaza si dhe do të lejonte dërgimin e ndihmave humanitare, përfshirë ushqimin dhe ujin, në Gaza.

“Kam besim se Izraeli do të veprojë sipas rregullave të luftës”, theksoi Biden.

Presidenti amerikan i tha gjithashtu 60 Minutes Scott Pelley se ai nuk besonte se Hamasi përfaqësonte “të gjithë popullin palestinez” dhe se ai donte ta shihte grupin të eliminohej plotësisht.

Në një intervistë për CNN, ambasadori i Izraelit në OKB Gilad Erdan iu përgjigj paralajmërimit të presidentit amerikan Joe Biden se pushtimi i Gazës pas shkatërrimit të Hamasit do të ishte një “gabim i madh”, duke thënë se Izraeli “nuk ka interes” të sundojë mbi 2 milionë palestinezë.

Erdan gjithashtu falënderon Biden për të kuptuar nevojën e Izraelit për të shkatërruar grupin terrorist me bazë në Gaza.

“Faleminderit President Biden për njohjen e asaj që Izraeli ka thënë që nga masakra barbare e Hamasit: qëllimi i Izraelit është eliminimi total i aftësive terroriste të Hamasit”, shkruan ai në Twitter.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore