Lajme

Beteja ligjore për kështjellën e D’Artagnan


Konti Charles de Batz de Castelmore, i cili nderoi jetë në Mastriht në vitin 1673 gjatë luftës holandeze, i njohur si d’Artagnan , lindi rreth vitit 1615 në kështjellën Castelmore në fshatin Lupiac, në Gaskon.

Kështjella 700 metra katrorë e rrethuar nga 150 hektarë tokë, në pronësi të familjes së një senatori, është në shitje dhe dy blerës të mundshëm janë përballë njëri-tjetrit.

Së pari janë autoritetet lokale që dëshirojnë ta bëjnë atë zemrën e ringjalljes turistike të zonës dhe Yves Claude, president i supermarketeve Auchan, i cili do të donte ta bënte atë vendbanimin e tij dytësor.

Vendimi është marrë nga një organ publik , Safer, i cili ka të drejtën e parablerjes në tokën bujqësore dhe për rrjedhojë edhe në kompleksin e kështjellës, dhe që e gjeti ofertën e autoriteteve lokale jo mjaftueshëm solide dhe bujare.

Kreu i Auchan shfaqet më bindës.

Por përfaqësuesit politikë vendas janë të zemëruar dhe kanë kohë deri më 31 janar për të kundërshtuar vendimin.

Beteja për pushtimin e kështjellës zhvillohet pikërisht në momentin kur bëmat e musketierëve të rrëfyer nga Alexandre Dumas janë bërë sërish me interes të madh popullor falë filmave të Martin Bourboulon.

Filmi i parë i lëshuar në pranverën e vitit 2023 tërhoqi mbi tre milionë spektatorë, i dyti, i publikuar në Krishtlindje në Francë dhe në ditët në vijim në Itali, është një tjetër sukses.

Ideja e qytetarëve të Lupiac dhe e organeve publike të zonës ishte të merrnin frymëzim nga modeli i Puy du Fou, parku i madh argëtues i bazuar në historinë e Francës dhe në veçanti në Mesjetë, i cili prej vitesh ka tërhequr miliona vizitorë në Vendée, duke konkurruar në Disneyland Paris.

“Projekti Château d’Artagnan do të ishte një publicitet i madh për zhvillimin e turizmit të rajonit”, ka thënë Jean-René Cazeneuve, një deputet.

Lupiac dhe kështjella e tij do të bëheshin të famshëm si vendi i d’Artagnan, një prej francezëve më të njohur në botë.

“Organizata Safer zgjodhi një projekt privat dhe jo me interes të përgjithshëm, një vendim i vështirë për t’u kuptuar”, ka theksuar Cazeneuve.

Problemi i projektit me interes të përgjithshëm, megjithatë, duket të jetë soliditeti i tij i pasigurt.

Pronari aktual i kështjellës është Jeanine Espié, 84 vjeçe, pa trashëgimtarë.

Për këtë arsye ka vendosur të shesë një aset që tashmë është një barrë tepër e rëndë për të.

Avokati Alain Nonnon ka bërë me dije se kështjella ka qenë në shitje për 11 vjet , “por askush nuk ka lëvizur vendit”.

Tani që presidenti i Auchan ka ecur përpara, drejtuesit lokalë duken më të vendosur.

Nëpërmjet Safer, që varet nga ministritë e Bujqësisë dhe Financave, qeveria franceze do të duhet të marrë një vendim përfundimtar deri në fund të muajit.

Marrë nga “Corriere della Sera”, përshtatur për “Albanian Post”.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore