Lajme

Pretendimi i Bërnabiç’it: ShBA-ja na premtoi se në janar nis formimi i Asociacionit


Ana Bërnabiç

Kryeministrja e Serbisë, Ana Bërnabiç, ka bërë të ditur se Shtetet e Bashkuara të Amerikës kanë premtuar Beogradit zyrtar, se formimi i Asociacionit të Komunave me Shumicë Serbe do të nis në janar të këtij viti.

Ajo, në një intervistë për median e afërt me pushtetin serb, TV Pink, ka thënë se nuk ka pritshmëri, as të mira as të këqija, nga vizita e këshilltarit të lartë të Departamentit Amerikan të Shtetit, Derek Chollet.

“E vetmja gjë që mendoj se është e rëndësishme dhe është në tavolinë është premtimi i Shteteve të Bashkuara të Amerikës se formimi i Asociacionit të komunave serbe do të nis në janar. Kjo do të ishte shumë mirë, pasi kështu zbatohet Marrëveshja e Brukselit”, ka thënë Bërnabiq për TV Pink.

Bërnabiç thotë se e kanë të garantuar: INTERPOL-i është i mbyllur për Kosovën

Bërnabiç, më tej ka bërë të ditur se gjatë vizitës së saj në Emiratet e Bashkuara Arabe, ka pasur një takim shumë të mirë me presidentin e INTERPOL-it, Ahmed Nasser al Raisi, i cili, sipas pretendimeve të Bërnabiç, ka konfirmuar se gjatë mandatit të tij aplikimi i Kosovës për anëtarësim në këtë organizatë ndërkombëtare të sigurisë nuk do të jetë në rend dite.

Për Bërnabiç, një konfirmim i tillë është veçanërisht i rëndësishëm për Serbinë, pasi sipas pretendimeve të saj kështu dy institucione kryesore si INTERPOL-i e UNESCO, nuk do të marrin parasysh kërkesat e Kosovës për anëtarësim.

“Jam shumë e kënaqur me rezultatet e vizitës në Emiratet e Bashkuara Arabe dhe bashkëpunimin me atë vend. Gjatë vitit 2022 kemi nënshkruar 10 marrëveshje me Emiratet e Bashkuara Arabe”, ka deklaruar Bërnabiç.

Ahmed Nasser al Raisi u zgjodh President i INTERPOL-it në nëntor të vitit 2021 dhe mandati i tij zgjat katër vjet.

Qeveria e Kosovës, më saktësisht Ministria e Punëve të Brendshme, gjatë vitit 2021 kishte bërë të ditur se dikasteri në fjalë gjatë vitit 2022 do të përgatitet për anëtarësim në Organizatën Ndërkombëtare të Policisë Kriminale, apo siç njihet ndryshe INTERPOL.

Megjithatë as gjatë vitit 2022, Qeveria e Kosovës nuk ka aplikuar në këtë organizatë ndërqeveritare.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore