Lajme

“Berishaj turpi i Kosovës”, “Turp ju që flisni kundër tij” – Gërvalla përplaset me Kadrijajn për Martin Berishajn


Ministrja e Punëve të Jashtme, Donika Gërvalla

Ministrja e Punëve të Jashtme dhe Diasporës, Donika Gërvalla, si gjithmonë e ka mbrojtur ambasadorin Martin Berishaj në Komisionin për Punë të Jashtme.

Ajo është përplasur me deputeten e Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Time Kadrijaj, kjo e fundit e ka akuzuar ministren e Punëve të Jashtme dhe Diasporës për emërimin e ambasadorëve në mënyrë politike.

“Ju e mbani një person të korruptuar si ambasador Martin Berishaj që është turpi i Kosovës”.

Gërvalla, përveç se i mohoi akuzat për emërimin e ambasadorëve në mënyrë politike iu drejtua deputetes nga AAK-ja, duke thënë se do të jenë ata që do të skuqen në fund.

“As 30 % e ambasadorëve nuk janë të emëruar politikë. Ka qenë krejt ndryshe në kohën kur ju keni mbajtur pushtetin. Për ambasadorin Martin Berishaj, ju që më së shumti bërtisni e dini shumë mirë se çfarë padrejtësie i është bërë, dhe sa shumë gënjeni”, theksoi ajo.

Gërvalla shtoi tutje “unë jam shumë kureshtare të shoh a do skuqeni ju që keni bërë kësi fushata të papara kundër një personaliteti me integritet. A duhet apo s’duhet ai të qëndrojë moralisht aty ata për fat të mirë e vendos dikush tjetër. Asnjë prej akuzave që ju bëni nuk qëndroni”.

_______________________________________________________________________________

Gërvalla: Anëtarësimi i plotë i Kosovës në KE të jetë “çështje muajsh” dhe jo “çështje vitesh”

Ministrja e Punëve të Jashtme, Donika Gërvalla, gjatë raportimit të saj para Komisionit për Punë të Jashtme ka deklaruar se dikasteri të cilin ajo është duke udhëhequr do të punoj që anëtarësimi i Kosovës të bëhet i plotë në Këshillin e Evropës.

Pritshmëritë e Gërvallës janë që ky anëtarësim të jetë “çështje muajsh” dhe jo “çështje vitesh”.

“Një pjesë e madhe e punës në Ministri gjatë këtij viti do të jetë e fokusuar në anëtarësimin e Këshillit të Evropës, ku kemi bërë një progres të mirë deri tani presim hapa tjerë në mënyrë që anëtarësimi i plotë të jetë çështje muajsh dhe jo çështje vitesh”, deklaroi Gërvalla.

Si prioritet ministrja e ka edhe anëtarësimin në Bashkimin Evropian.

“Edhe në BE do të jemi shumë të përkushtuar, jo vetëm në aspektin profesional por edhe politik. Me qëllim që kërkesa jonë për anëtarësim në BE të lëvizë, meqë Kosova është edhe vendi i fundit në Ballkanin Perëndimor që nuk e ka statusin e kandidatit, gjatë vitit të ardhshëm mundësisht të marrim statusin e kandidatit”.

Sipas Gërvallës, për plotësimin e kërkesave që kanë nuk duhet punuar me një diplomaci joprofesionale.

“Nëse kërkesa paraqitet atëherë natyrisht se duhet të ja bësh hyzmetin kërkesës në mënyrë që kërkesa të merret seriozisht dhe të gjitha këto mund të bëhen me një diplomaci profesionale”.

_________________________________________________________________________________

“Greqia mund ta njohë Kosovën së shpejti”

Nga këndvështrimi i saj nuk sheh dilema tek Greqia në raport me Kosovën.

Sipas saj, së shpejti Greqia mund ta njohë Kosovën.

“Me Greqinë kemi marrëdhënie të mira dhe pres që Greqia së shpejti mund të lëvizë drejt njohjes sepse nuk shoh më asnjë lloj dileme në atë se a janë shtete partnere Greqia dhe Kosova”, ka thënë Gërvalla.

Ajo tutje ka thënë se do të vazhdojnë punën edhe me pesë shtetet mosnjohëse dhe të gjejnë “rrugë të reja” për shkëmbime në fusha të reja.

Ministrja ka potencuar se kjo do të bëhet me qëllim që Kosova të jetë prezente edhe në këto vende.

“Me pesë shtetet mosnjëse të BE-s, është i rëndësishëm secili progres, kontakt me shtete e vështira si Spanja është shumë i çmuar. Me 5 shtete mosnjohëse progres mund të arrijmë vetëm atëherë kur bashkë me partnerët tanë i adresojmë”.

Gërvalla ka sqaruar se për synim ka edhe krijimin e një diplomacie publike.

“Ndërtimi i një diplomacie publike dhe profesionale është një sfidë e madhe për shkak se nuk kemi struktura të trashëguara nga e kaluara. Më shumë diskutojmë mes vete sesa që kemi ndërtuar struktura në të kaluarën”.

Fajtor për moskrijimin e strukturave në mënyrë të duhur i la qeverisjet e kaluara.

“Nuk kemi arritur në të kaluarën aspak ta zgjerojmë rrethin të atyre që kur mendojnë për aktivitet kulturore në fokus të kenë edhe Republikën e Kosovës, kjo nuk ndryshohet me fjalë dhe premtime, por vetëm me struktura”.

Gërvalla ka shtuar se po punohet për forcimin e Kosovës në arenën ndërkombëtare, anëtarësimin në organizata dhe arritjen e njohjeve. Theksoi se fokusi kryesor është anëtarësimi në NATO.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore