Shqipëria

Berisha: Xhuvanin e vranë për së dyti Balla, Bardhi, Rama dhe Veliu


Kryetari i Partisë Demokratike, Sali Berisha, në bashkëbisedim me gazetarët ka risjellë vrasjen e ndodhur në Elbasan, katër ditë para zgjedhjeve të 25 prillit në Shqipëri.

Sipas tij, në rrafshin politik, njeriu më përgjegjës është Taulant Balla.

“Përgjegjësi ka Gazment Bardhi. Unë kam një seri statusesh të publikuara në atë kohë, statuse të cilat vinin në kundërshtim me komunikatat zyrtare të narko-shtetit. Unë nuk kisha qenë në ngjarje, por në ato që lexoja nga gazetarët dhe nga zhvillimi, kuptova se kemi të bëjmë me një akt kriminal, i cili po mbulohej me çdo kusht nga shteti”.

Së dyti, bën me dije Berisha, “nuk e njihja Arbër Paplekajn, por çdo njeri që kishte pasur rastin ta njihte, fliste vetëm fjalët më të mira për të”.

“Ai kishte qenë një oficer në Afganistan, në misione të rrezikshme. Kjo përbënte garanci që ai të mos e përdorte kurrë armën në qytet, jashtë kushteve të vetëmbrojtjes. Nuk mund të qëllonte ai te ata që nuk po e rrezikonin”.

Sipas Berishës, Pjerin Xhuvanin e vranë për së dyti, Taulant Balla, Gazment Bardhi, Edi Rama dhe Ardi Veliu, sepse donin ta mbyllnin çështjen “Paplekaj- Xhuvani”.

“Aty mund të kishim pasur katër të vdekur. Mënyra kriminale të cilën e trajtoi Ardi Veliu, mënyra e turpshme prej dezertorësh e dy nëndrejtorëve të policisë që lanë të zhvillohej një dramë e tillë, mashtrimi që bëri policia bashkë me Alfred Shehun se nuk kishte materiale, është një nga ngjarjet më të shëmtuara që tregon fytyrën e vërtetë të Edi Ramës dhe grupit të tij”.

Vrasja e Xhuvanit

Vrasja e Pjerin Xhuvanit e gjeti Elbasanin dhe gjithë Shqipërinë të tronditur, pasi pati edhe një sfond elektoral.

Arbër Paplekaj, ish-punonjës i forcave RENEA dhe shoqërues i kandidatit demokrat për deputet në Elbasan, Gazment Bardhi, qëlloi për vdekje Pjerin Xhuvanin, ish-drejtues i Lëvizjes Socialiste për Integrim në Elbasan.

Ish-punonjës i forcave RENEA, Arbër Paplekaj

Katër të tjerë u plagosën në vendngjarje, ndër të cilët një efektive e forcave “Shqiponja”.

Gjithë Shqipëria i ktheu sytë nga kjo ngjarje e rëndë, duke zhvendosur edhe vëmendjen e fushatës zgjedhore.

Autori u vu nën pranga pak pas ngjarjes, duke u shoqëruar dhe në komisariat. Deklarata e tij pat qenë se “sulmi ka ndodhur për vetëmbrojtje”.

Mbi 20 persona u shoqëruan në komisariat asokohe. Ndër ta, dy kandidatë demokratë: Gazment Bardhi dhe Luçiano Boçi.

Arbër Paplekaj përpara vrasjes

Ndërsa në burg, mbahet ende Paplekaj, në pritje të vendimit përfundimtar nga Gjykata.

Nga ana tjetër, Xhuvani ishte akuzuar nga Partia Demokratike se ishte një ndër organizatorët e përplasjes fizike mes simpatizantëve të PS-së dhe PD-së Ditën e Verës të vitit 2021 në Elbasan.

Sakaq, më 28 qershor, Albanian Post ka siguruar dosjen e Prokurorisë, sipas të cilës ngjarja, e cila ndodhi më 21 prill, katër ditë para zgjedhjeve parlamentare të 25 prillit në Shqipëri, mund të ishte parandaluar, nëse policia do të kishte ndërhyrë në kohë.

Gjithashtu, Prokuroria e Rrethit Gjyqësor Elbasan  dërgoi në arrest shtëpie dy ish-zëvendësdrejtorët e policisë së qarkut, Nikollaq Palla dhe Albert Nushi, si dhe pezulloi nga detyra gjashtë oficerë të Forcës së Posaçme “Shqiponja”.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore