Shqipëria

Berisha reagon pas njoftimit të Gjykatës së Apelit: Ndërhyrje antikushtetuese e Edi Ramës


Ish-kryeministri i Shqipërisë, Sali Berisha, pasditen e 17 majit ka reaguar në lidhje me vendimin e kësaj dite nga Gjykata e Apelit, duke e quajtur “një ndërhyrje antikushtetuese e Edi Ramës dhe Guvernatores Kim – siç e pohoi ajo vete – shpalli palë ata që kurrë nuk kanë qenë palë”.

Kjo deklaratë e Berishës ka ardhur pasi Gjykata e Tiranës ka njohur ndryshimet statutore të dala nga Kuvendi Kombëtar i Partisë Demokratike – i thirrur nga ish-lideri. Nga ky Kuvend doli edhe Komisioni i pëkrohshëm i Rithemelimit.

“Të dashur miq, prej tre javësh, në kundërshtim flagrant me ligjet e vendit gjatë të cilave Gjykata e Tiranës nuk i dha PD-së një kopje të vendimit antiligjor të gjykatëses Blerina Muça, e cila është në kundërshtim flagrant me ligjin”, shkruan Berisha në median sociale Facebook.

Sipas Berishës këtë vendim “kjo gjykatë e dërgoi sot ne Apel duke mos ia dhënë vendimin PD-së, e cila ishte palë e vetme në proces”.

“Por ky akt antiligjor në një rast unik në historinë e Shqipërisë dhe të botes, shoqërohet nga një deklaratë politike e gjykatës së Apelit publikuar dy orë para se sa të hidhet shorti për gjyqtarin qe do të shqyrtonte çështjen”, vijon postimi i Berishës.

Në përfundim ish-kryeministri ka dënuar me “ashpërsinë më të madhe këtë ndërhyrje brutale në punën e gjykatave”.

“Rikujtojmë se një deklaratë e tillë nuk është bërë as kur Alibasha sulmoi egër gjykatësin e gjykatës së Tiranës, një ditë para se të vendoste për Kuvendin e 11 dhjetorit te vitit 2021 të PD-së”, përmbyllet reagimi i Berishës.

Kujtojmë se Apeli ka caktuar gjyqtaren Elona Toro, gjyqtari Genti Shala dhe gjyqtarja Edlira Petri do të shqyrtojnë kërkesën e Ivi Kasos, që Enkelejd Alibeaj të mos bëhet palë në PD.

Çfarë ka ndodhur?

Përfaqësuesi ligjor i Komisionit të Rithemelimit, Ivi Kaso, e ka konsideruar nul vendimin e dhënë nga Gjykata e Tiranës për të njohur si ankimimin e kreut të grupit parlamentar të PD-së, Enkelejd Alibeaj, ndaj vendimit të gjyqtarit, Agron Zhukri, që mandatoi Komisionin e Rithemelimit si organi drejtues i PD-së.

“Në radhë të parë dua të sqaroj se ndryshe nga sa është sqaruar në disa media dhe portale Gjykata e Apelit nuk ka vendosur prishjen e vendimit të gjyqtarit Zhukri, por është pranuar ankimi nga një pal që pretendon që përfaqëson Partinë Demokratike”, tha Kaso.

Më 25 mars, Alibeaj, fill pas vendimit të njohjes nga gjykata të ndryshimeve statutore të dala nga Kuvendi Kombëtar i PD-së më 11 dhjetor – i thirrur nga ish-lideri Sali Berisha – deklaroi se, siç parashikon ligji, do ta ankimojnë këtë vendim.

Duke e cilësuar si një vendim në nivelet e skandalit, Alibeaj bëri të ditur se do të ketë kallëzim penal për gjyqtarin Agron Zhukri.

Ky i fundit, sipas tij, ka nxjerrë një vendim pa dosje e fakte dhe pa patur palët.

Sipas tij, që një vendim të ketë efekt, palët duhet të jenë prezentë dhe kjo u është mohuar nga gjykata.

Sakaq, ai ka vijuar se dosjet janë në Gjykatën e Apelit dhe, për rrjedhojë, gjyqtari, sipas tij nuk i ka poseduar këto prova.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore