Shqipëria

Berisha për Bashën: Më mirë të dorëhiqej se të dorëzonte sovranitetin e PD-së, vendim nul


“Lulzim Basha është vënë nën presionin e sanksioneve. Më mirë të dorëhiqej se sa të dorëzonte sovranitetin e Partisë Demokratike”.

Kjo është replika e menjëhershme e ish-kreut dhe liderit historik të demokratëve, Sali Berisha, i cili e ka quajtur nul këtë vendim të Lulzim Bashës për ta përjashtuar atë nga Grupi Parlamentar i demokratëve.

Sipas Berishës, një vendim të tillë nuk e merr një person që respekton parimet parlamentare të një force të lirë politike.

“Unë e kuptoj presionin që ka pasur Basha, por duhet të konsideronte dorëheqjen e tij sa të konsideronte dorëzimin e sovranitetit”, u shpreh ai.

Ish-kryeministri e tha qartë se ai nuk do ta pranojë kurrë këtë vendim. Vendim, i cili për të e asgjëson forcën politike parlamentare.

Ai theksoi se do të bashkëpunoj me çdo demokrat për të rikthyer sovranitetin e Partisë Demokratike.

Për një vendim të tillë, ai shpjegoi se Basha duhet të mblidhte fillimisht Kongresin e PD-së. Më pas, ai duhet të vendoste një nen të posaçëm, që përjashton nga partia ata të cilët shpallen non grata.

“Shqipëria në këtë rast ka humbur, dhe e tërë shoqëria shqiptare ka humbur. Kam komunikuar dhe e dija që ai ishte në presione, por nuk e dija që do shpallte këtë vendim pas asnjë lloj rregulli dhe personal”.

Ndër të tjera bëri me dije se ka ndjekur rrugën gjyqësore, dhe nuk dëshiron ndihmën e Bashës.

“Ndihma më e madhe ka qenë ajo që kërkonte transparencë. Më kanë kërcënuar me çdo gjë, unë po ky jam do qëndroj në mbrojtje të dinjitetit tim dhe PD-së”.

Sipas Berishës, PD-ja është shndërruar në një parti pa sovranitet e cila dorëzohet e tëra nga “lobimi i Edi Ramës dhe Sorosit”.

“Do bëj gjithçka për rivendosjen e sovranitetit të Partisë Demokratike, kthim në parime që sot i shkelmoi Lulzim Basha pa të cilat forca politike është një fasadë opozitë”.

Ish-presidenti, tha ndër të tjera se ish-ambasadori i SHBA-ve në Shqipëri, Donald Lu i ka sjellë dosje për Bashën për lidhjen me rusët që nuk kishte asnjë fakt.

“Ky vendim i Bashës, e shndërron PD-në në një satelit të Edi Ramës. Basha ka bërë një gabim fatal”.

“Sot me mua janë shumica dërmuese e demokratëve, dhe jo vetëm”, thotë ai , duke bërë me dije se, “nuk mund të konceptoj që një vend tjetër, qeveri tjetër, me baza lobimi të marrë një vendim ndaj një njeriu që ka 8 vite në opozitë në mbrojtje të interesit publik”.

Basha përjashtoi Berishën nga Grupi Parlamentar i PD-së

Reagimi i Berishës vjen disa minuta pas daljes së Kryetarit të Partisë Demokratike, Lulzim Basha, me vendimin për të lënë jashtë grupit parlamentar të PD-së, themeluesin e kësaj partie dhe ish-kryeministrin e Shqipërisë.

Në një deklaratë për mediat, ai u shpreh se “shpallja persona non-grata e Sali Berishës, ishte një nga momentet më të vështira për mua si kryetar, si demokrat, si bashkëpunëtor i Berishës”.

Më 19 maj 2021, ka qenë sekretari amerikan i Shtetit, Antony Blinken, i cili e ka cilësuar ish-kryeministrin dhe ish-presidentin shqiptar, Sali Berisha, si persona non-grata në SHBA. Gjithashtu, familja e Berishës është cilësuar si non grata nga Sekretari Blinken.

Sipas Bashës, ky moment ka qenë i vështirë, kjo “jo vetëm për faktin se çfarë përfaqëson Sali Berisha, por edhe unë jam dëshmitar, si bashkëpunëtor i tij, sa rëndësi ka pasur për atë mbrojtja e interesit publik”.

Kryedemokrati theksoi gjithashtu se i është bashkuar thirrjes së ish-kryeministrit Berisha, që “ditën e parë të vendimit nga Departamenti Amerikan i Shtetit (DASH) për transparencë të plotë”.

Gjatë fjalës së tij, kreu i demokratëve, e ka cilësuar Berishën si “udhëheqësi shqiptar që ka dhënë kontributin më të çmuar për demokracinë”.

Marrëdhënia Shqipëri-SHBA ka arritur nivele të larta gjatë kohës së Berishës. “Shqipëria përmbushi reformat e nevojshme për anëtarësimin në NATO, si dhe marrjen e statusit të vendit kandidat për në Bashkimin Evropian, me partner kyç SHBA-të”.

Basha ka përsëritur gjithashtu se “vendimi i DASH-it nuk cenon arritjet e Shqipërisë në drejtimin e Berishës, kontributin në demokratizimin e Shqipërisë dhe marrëdhënien e PD-së me SHBA-të. PD mbështet kërkesën për transparencë”.

 

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore