Shqipëria

Berisha: PD-ja drejtohet nga Kuvendi, më 20 dhjetor protestë


Ish-kryeministri i Shqipërisë, Sali Berisha, në një dalje publike në emisionin “Opinion”, mbrëmjen e 16 dhjetorit, ka folur mbi situatën e krijuar në selinë e Partisë Demokratike.

Ai nuk e ka njohur Lulzim Bashën si kreun e PD-së, duke theksuar se “Kuvendi i thirrur nga vetë unë, e drejton PD-në deri më 22 mars”.

Ndër të tjera, Berisha ka bërë me dije se më datë 20 dhjetor do të ketë një protestë.

“Unë kam një lajm për shqiptarët, 20 dhjetori është protesta kombëtare”, tha ish-kryeministri.

Sipas tij, kjo protestë do të ketë dy qëllime: një kundër Ballkanit të Hapur – pasi në atë ditë pritet që presidenti serb, Aleksandër Vuçiç të vizitojë Tiranën.

Së dyti do të protestohet kundër Bashës, i cili për Berishën është “minorancë dhe i shkarkuar”.

“Unë i kërkova Bashës të mbledhë Kuvendin. Ai deklaronte se nuk mbledh kuvend antiamerikan. Atëherë, u detyruam t’i drejtoheshim anëtarësisë”, shpjegoi Berisha për thirrjen e Kuvendit të 11 dhjetorit.

Sali Berisha

Sa u përket akuzave të kryeopozitarit për ngjarjen e 21 janarit, Berisha ngriti pyetjen se “ku ka qenë Basha atë ditë”.

“Sali Berisha ka qenë jashtë zyre, duke drekuar me ambasadoren e Republikës Federale Gjermane dhe është kthyer në zyrën e tij dhe nuk ka lëvizuar në asnjë moment. Ka një fakt tjetër që zyra e tij është qëlluar me plumba dhe ai ka qëndruar në zyrë. Se ku ka qëndruar Lulzim Basha, nuk e di”, tha ish-lideri i PD-së.

Gjithashtu ai ka ravijëzuar se që prej vitit 2017  kishte kërkuar dorëheqjen e Bashës, madje  nuk e kishte mbështetur atë as në fushatën e vitit 2017.

Berisha është shprehur i vendosur se Lulzim Basha nuk e ka bindur asnjëherë që është pasardhësi i tij në PD.

Lajmi në përditësim

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com

Lajmet kryesore