Shqipëria

Berisha “non grata”, jehonë në mediat ndërkombëtare


Sali Berisha prej ditës së sotme nuk do ta ketë më të lejuar të shkelë në territorin amerikan, së bashku me bashkëshorten e tij, Liri Berisha, djalin Shkëlzen dhe vajzën Argita.

Vendimin e ka përcjellë Sekretari amerikan i Shtetit, Antony Blinken, nëpërmjet një postimi në Twitter. Motivacioni ka qenë i qartë: Korrupsion dhe pengim i hetimit të pavarur në Shqipëri.

Mediat shqiptare gëluan menjëherë pas publikimit të lajmit – ndër më të rëndësishmit në politikën shqiptare gjatë viteve të fundit.

Por, pasqyrim, pati edhe nga media ndërkombëtare.

Kështu, në SHBA, televizioni ABC News, i është referuar shkrimit të Llazar Seminit në Associated Press, mbi shpalljen non grata të Berishës nga SHBA.

“SHBA-të sanksionojnë ish-liderin shqiptar Sali Berisha mbi akuza korrupsioni”, shkruhet në titullin kryesor.

Në artikull, shpjegohet edhe lufta ndaj korrupsionit në Shqipëri – e cilësuar jo pak herë si ndër më të vështirat, për shkak të skenës politike shqiptare.

Reforma në Drejtësi vihet në vëmendje. Në të shpjegohet qartësisht edhe procesi i vetingut i disa gjyqtarëve dhe prokurorëve në Shqipëri, të cilët pikërisht për akuza mbi korrupsionin, janë lënë jashtë sistemit.

Të njëjtën gjë, e shpërndan edhe agjencia e lajmeve Euronews. Gjermanët e Deutsche Welle, nga ana tjetër, e kanë përcjellë lajmin në të dy gjuhët, si atë gjermane, edhe në atë shqiptare.

Turqit e Anadolu Agency e kanë përcjellë lajmin në të dy gjuhët, shqip dhe turqisht. Në të shpjegohet qartësisht e gjithë deklarata e SHBA-ve mbi motivacionin e përdorur për marrjen e këtij vendimi. Theksohet gjithashtu edhe angazhimi amerikan, për të tilla vendime në vazhdim, në rajon e më gjerë.

Vetë Berisha, pas publikimit të vendimit, ka reaguar nëpërmjet një postimi në Facebook. Ai është shprehur i keqardhur për vendimin. Gjithashtu, ai ka kërkuar të dalin provat ku është bazuar vendimi.

Prej vitesh, Berisha është akuzuar nga kundërshtarët politikë për korrupsion.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com

Lajmet kryesore