Sport

Berisha do të largohet nga A-Liga e Australisë


Golashënuesi më i mirë në historinë e A-Ligës së Australisë, Besart Berisha, ka vendosur që të largohet nga futbolli australian.

Sipas asaj që shkruan “Dailymail” Berisha do të largohet nga klubi australian Western United, me të cilët i ka skaduar kontrata dhe do të kërkojë të gjejë një klub të ri ë Evropë.

36-vjeçari ishte i lidhur me një rikthim në Melbourne Victory, por pa ndonjë marrëveshje të ardhshme, ai thotë se ka marrë vendim për ta vazhduar karrierën e tij jashtë futbollit australian.

“Jam 36 vjeç, por mendoj se mund të përformoj edhe për një tjetër sezon. Isha në bisedime me klubet që kam luajtur këtu, por nuk ndodhi asgjë, kështu që duhet të mendoj për të ardhmen”, tha Besart Berisha.

“Ekziton mundësia që të luajë jashtë shtetit dhe nëse mund të bëhet, unë me të vërtetë dua ta bëj atë për të luajtur sezonin tim të fundit ku gjithçka që filloi për mua do të ishte e veçantë”, shtoi ai.

Besart Berisha filloi futbollin në Australi në vitin 2011, kur u bashku me skuadrën Brisbane Roar, nga skuadra gjermane Armenia Bielefeld, i cili gjatë tri sezoneve shkëlqeu aty duke shënuar 50 gola në 80 paraqitje.

Pasi i skadoi kontrata me Brisbane Roar, Berisha u transferua te Melbourne Victory në verën e vitit 2014.

Edhe në Melbourne, ai pati paraqitje të mira në katër sezone, ku arriti të shënojë 82 gola në 130 paraqitje në të gjitha garat.

Sulmuesi kosovar, pasi mbaroi kontratën me skuadrën e Melbourne, provoi një aventurë edhe në futbollin japonez, ku u transferua te skuadra e Sanfrecce Hiroshima. Megjithatë ai nuk pati sukses aty, ku luajti vetëm për shtatë ndeshje, duke mos lënë gjurmë.

Dhe, pas përvojës në Japoni, Berisha rikthehet sërish në A-Ligën e Australisë, ku në shtator të vitit 2019, firmosi kontratë dy-vjeçare me skuadrën e Western United.

Edhe aty Besarti shënoi 26 gola në 50 paraqitje në të gjitha garat.

Pra, në total prej 142 golash në tri klube të ndryshme, Besart Berisha do të largohet nga “A-Leauge” si golashënuesi më i mirë në historinë e ligës së Australisë, derisa rivali më i afërt i sulmuesit kosovar është Jamie Maclaren me 38 gola më pak.

Ndërsa gjatë karrierës së tij në Australi, Berisha ka fituar katër tituj Championship në A-Leauge, dy tituj Premiership, si dhe kupën FFA në vitin 2015.

Ai gjithashtu ka fituar dy herë çmimin e Këpucës së Artë në A-Leauge.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore