Euro 2024

Bëri ‘shqiponjën’ para tifozëve të Serbisë, UEFA përjashton Arlind Sadikun nga Euro 2024


Gazetari nga Kosova, Arlind Sadiku është përjashtuar nga UEFA për pjesën e mbetur të Kampionatit Evropian, Euro 2024, pasi bëri simbolin e shqiponjës me duar përpara mbështetësve të Serbisë në ndeshjen e tyre ndaj Anglisë.

Sadiku, i akredituar për ndeshjet e Euro 2024, ishte në transmetim të drejtpërdrejtë në momentin kur mbështetësit e Serbisë po brohorisnin kundër Kosovës dhe në një moment ai u drejtua nga ata duke bërë shqiponjën me duar.

Kaq mjaftoi që Federata e Futbollit të Serbisë të denonconte në UEFA Sadikun, e cila më pas vendosi për pezullimin e gazetarit, duke e cilësuar gjestin e tij si “provokim” dhe “nxitje dhune”.

Ballkani Perëndimor në ankth nga huliganët e futbollit ndërsa fantazma e nacionalizmit agresiv serb rikthehet në Euro 2024

Sadiku foli për gjestin e tij pas ndeshjes Serbi – Angli dhe u shpreh se ndihej krenar për atë veprim dhe se ai erdhi si pasojë e thirrjeve anti-shqiptare të serbëve.

“Ta theksoj që në pozicionin tim ku isha dje në stadium, kemi qenë të vendosur nga UEFA. Reagimi erdhi natyrisht nga thirrjet e vazhdueshme raciste të serbëve ‘Kosova është Serbi’ dhe të jesh aty dy metra larg nuk ke sesi të mos ndikohesh”, tha Sadiku për “Klan Kosova”.

“Asnjëherë nuk i bie pishman çkado që ndodh sepse unë jam krenar që jam shqiptar. Duhet të ndodhë diçka që të ndalen këto thirrje raciste”, vijoi ai.

Sadiku e quajti gjestin si “një nga më të mirët që e ka bërë ndonjëherë në sport”.

“E kam bërë nën afekt megjithatë nuk pendohem dhe gjithmonë do ta kujtojë si një nga gjestet më të mira që e kam bërë ndonjëherë në sport. Këto janë fjalët të zemrës që po i them”.

“Ejani provojeni të jeni në mes të 20 mijë serbëve dhe tentoni të ndiheni të paprovokuar nga ato thirrje”, përfundoi Sadiku.

Megjithatë, ai gjest i kushtoi shumë Sadikut, i cili tashmë duhet t’i ndjekë ndeshjet e mbetura të Euro 2024-ës jashtë stadiumeve.

Përsa i përketë një dënimi të mundshëm për mbështetësit e Serbisë për shkak të shpalosjes së një banderole me hartën e Kosovës nën flamurin serb, apo thirrjeve “Kosova është Serbi”, UEFA ende nuk ka nxjerrë një njoftim, pavarësisht se fillimisht ka pohuar se ka ndërmarrë një hetim.

FFK-ja ankohet në UEFA për thirrjet nacionaliste të tifozëve të Serbisë

Thirrjet shoviniste dhe raciste kundër Kosovës, UEFA nis procedura disiplinore kundër tifozëve serbë

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com

Lajmet kryesore