Kulturë

Beqaria të kushtonte xhepin, ja dekreti për “tatimin e beqarëve”


Më 9 shkurt të vitit 1951, Presidiumi i Kuvendit Popullor të Republikës Popullore të Shqipërisë miratoi Dekretin nr. 1222 mbi “tatimin e beqarëve”.

Ligji prekte meshkujt 20-50 vjeç dhe femrat 20-40 vjeç, që ishin beqarë, të ve, të shkurorëzuar dhe pa fëmijë.

Punëtorët dhe nëpunësit tatoheshin me 3% mbi të ardhurat, ndërsa zejtarët, tregtarët dhe profesionistët me 4%.

Sa u përket fshatarëve, ata duhet të paguanin 600 lekë në vit dhe pjesa tjetër 200 lekë në vit.

Tatimi paguhej më 1 korrik dhe 1 dhjetor të çdo viti. Ata që kishin të ardhura të tjera dytësore, tatoheshin edhe mbi ato të ardhura.

Prej ligjit përjashtoheshin ushtarët dhe nënoficerët, nxënësit dhe studentët, invalidët e luftës dhe të punës, shtresat me të ardhura të pakta ekonomike dhe klerikët që nuk martohen.

Dekreti u hartua duke marrë parasysh nivelin ekonomik të vendit, si dhe i mbështetur në eksperiencën sovjetike, siç thotë relacioni bashkëngjitur dekretit.

Ndryshimi me ligjin përkatës të Bashkimit Sovjetik është shuma e tatimit, e cila në Shqipëri është zbritur në shifrën bujare të gjysmës ose pak më shumë se gjysmës së tatimit të BS, nga 6 në 3%.

 

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore