Shqipëria

Ben Blushi largohet nga Top Channel


“Duke nisur nga sot, nuk do të jem më në Top Channel”.

Kështu e nis Ben Blushi mesazhin mbi largimin e tij nga televizioni kombëtar shqiptar, Top Channel, pas katër vitesh në drejtim të institucionit mediatik – ndër më të mëdhenjtë në vend.

“Me bindjen se sot po largohem nga një kompani më e shëndetshme, më e besueshme dhe më e madhe, në krahasim me atë që gjeta para katër vitesh, ju uroj të gjithëve punë të mbarë”.

Kështu thjeshtësisht, Blushi lë postin e drejtorit të përgjithshëm të “Topit”.

Menjëherë pas vendimit, ka ardhur edhe reagimi nga aksionarja kryesore e medias, Vjollca Hoxha.

“Duke falënderuar zotin Blushi për kontributin e tij në Top Channel, rruga jonë e përbashkët vazhdon, në vigjilje të 20-vjetorit të shtëpisë sonë të dytë, drejt 20 viteve të tjera e më shumë, që uroj të jenë po kaq të shkëlqyera në mos më tepër nga puna e secilit prej jush”, shkruhet në emailin e dërguar nga Hoxha.

Ndër të tjera, ajo shpjegon edhe se Top Channel, do të vijojë të administrohet nga trashëgimtarët e familjes Hoxha. Siç theksohet në email, “nga ëndrra e bukur e atij që e nisi 20 vite më parë”, duke përkujtuar themeluesin e Top Media, Dritan Hoxha. Burime nga Albanian Post bëjnë me dije se drejtimi i kalon vajzës së Dritanit, Lori Hoxha.

Thjesht Blushi

I diplomuar në degën e Gjuhë-Letërsisë, Blushi që herët në karrierën e tij, iu përkushtua gazetarisë. Ai u bë kryeredaktor i gazetës “Koha Jonë” në moshë të re, teksa bashkëngjitur, i hyri edhe politikës.

Në vitin 1999, Blushi u imbarkua nga kryeministri i atëhershëm, Fatos Nano, në kabinetin e tij. Ai shërbeu disa muaj si zëvendësministër i Punëve të Jashtme.

Më pas, në fund të vitit 2000, u bë prefekt i Korçës.

Nuk iu desh shumë Blushit që të spikaste dhe të ngjiste shkallët e karrierës politike.

Në vitin 2001, Blushi do të zgjidhej për të parën herë si deputet i Kuvendit të Shqipërisë. Pozitën e deputetit, do ta mbante për katër mandate, deri në vitin 2016, gjithnjë nga radhët e majta, deri në shkëputjen e tij përfundimtare nga Partia Socialiste.

Ben Blushi gjatë kohës kur ka qenë deputet socialist

Në shtator 2001, ai u bë ministër i Edukimit dhe Shkencave. Këtë post, do ta mbante deri në janar 2002. Më pas, në dhjetor 2003 deri në shtator 2005, do të ishte në krye të dikasterit të Qeverisjes Lokale dhe Decentralizimit.

Krisja përfundimtare me politikën, do të vinte në vitin 2016, pas mosmarrëveshjeve me kreun e socialistëve, Edi Ramën. Për shkak të tyre, ai do të fillonte një lëvizje të re politike, nën siglën LIBRA, të cilën do ta bashkëthemelonte me kolegen e tij deputete nga radhët e majta, Mimoza Hafizi.

Ben Blushi themelon partinë LIBRA

Pasi partia konkurroi në zgjedhjet parlamentare të vitit 2017, pa arritur të fitojë mandat, pavarësisht rezultatit të mirë që arriti, veçanërisht në Tiranë, Blushi u shkëput tërësisht nga politika për t’u rikthyer në media.

Ndër të tjera, Blushi është sprovuar në fushën e publicistikës dhe shkrimit.

Në borderonë e tij radhiten pesë tituj shumë të vlerësuar të letërsisë bashkëkohore shqipe.

“Të jetosh në ishull”, i botuar në vitin 2008. “Otello, Arapi i Vlorës”, i botuar në vitin 2009. “Shqipëria”, i botuar në vitin 2011. “Kandidati”, i botuar në vitin 2015 dhe “Km”, i botuar në vitin 2016.

Veçanërisht me dy të fundit, Blushi ngjalli edhe një debat publik mbi politikën shqiptare, pjesëmarrësit në të, cilësinë sipas tij në rënie të parlamentarizmit në Shqipëri dhe “përdhosjes” që i është bërë figurës së politikanit.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore