Lajme

Behrami, Speciales: Kur do t’ua ktheni iPAD-at fëmijëve?


Ish-këshilltari i presidentit të Kosovës, Hashim Thaçi, Artan Behrami.

Ish-këshilltarit të presidentit të Kosovës, Hashim Thaçi, Artan Behrami, të cilit iu bastis shtëpia nga Gjykata Speciale përmes një e-mail dërguar Gjykatës Speciale ka kërkuar të informohet se kur do t’i kthehen pajisjet e konfiskuara atij.

Behramit, gjatë bastisjes iu konfiskuan dy iPAD-at për të cilat ka thënë se janë “të fëmijëve të tij”.

“Të nderuar, dje gjatë një aksioni të paprecedent për bastisje në banesën time, janë konfiskuar dy iPAD-at e fëmijëve të mi, Teos (9) dhe Reit (7). Sot në mëngjes, Teo dhe Rei i kërkuar Ipad-at e tyre, sepse iu duheshin për praktikat ditore në shkollë”.

“Përmes kësaj e-maili ju pyes: kur do t’ua ktheni Ipad-at fëmijëve të mi”, ka shkruar Behrami.

Bastisja në shtëpinë e Behramit, ka ndodhur një ditë pasi që ai kishte kritikuar Gjykatën Speciale se është duke dënuar vetëm shqiptarët, duke e quajtur atë “fashiste”.

Po ashtu, një bastisje nga Zyra e Prokurorit të Specializuar ka ndodhur të hënën në mëngjes në banesën e Blerim Shalës, ish-këshilltar politik i presidentit të Kosovës, Hashim Thaçi, i cili po gjykohet nga Dhomat e Specializuara të Kosovës për krime të pretenduara lufte në Hagë të Holandës.

Aksioni i njëjtë është kryer edhe në shtëpinë e ish-drejtorit të Agjencisë Kosovare të Intelegjencës (AKI), Bashkim Smaka, i cili për një kohë ka shërbyer gjithashtu në ekipin këshilldhënës të ish-presidentit Thaçi.

Edhe në shkurt të këtij viti ekipet policore të EULEX-it me urdhër të Zyrës së Prokurorit të Specializuar kishin kryer bastisje në banesën e Adil Behramaj, këshilltar politik i ish-presidentit Thaçi, aksion që kishte nisur rreth orës 08:30 mëngjesin e 22 shkurtit e kishte përfunduar në mbrëmje.

EULEX-i ka kryer bastije edhe në banesën e familjarëve të dëshmorëve, Fahri e Bahri Fazliu, në lagjen “Kodra e Diellit” në Prishtinë, në shtator të këtij viti, nën arsyetimin se të njëjtët kanë tentuar të ndikojnë në dëshmitarë, derisa procesi gjyqësor ndaj ish-krerëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës (UÇK) është duke vazhduar në Hagë.

Veprimet e fundit të Speciales “tejkalojnë” mandatin e saj – “Tentativa për t’i mbuluar dështimet”

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore