Lajme

Gjykata Speciale bastisë banesën e Blerim Shalës dhe Bashkim Smakës


Ilustrim

(Ky lajm është përditësuar)

Një bastisje nga Zyra e Prokurorit të Specializuar ka ndodhur të hënën në mëngjes në banesën e Blerim Shalës, ish-këshilltar politik i presidentit të Kosovës, Hashim Thaçi, i cili po gjykohet nga Dhomat e Specializuara të Kosovës për krime të pretenduara lufte në Hagë të Holandës.

Artan Qerkini, avokat i Shalës, ka thënë në një përgjigje për mediat se bastisja ka qenë e shkurtër dhe se për shpalosjen e detajeve të tjera do të konsultohet gjatë ditës klientin e tij, ndërsa nuk dihet ende arsyet dhe rrjedha e bastisjes në banesën e ish-këshilltarit politik në Presidencën e Kosovës.

Ekipet e Misionit të Bashkimit Evropian për Sundim të Ligjit në Kosovë (EULEX) kanë kryer aksionin e njëjtë edhe në shtëpinë e ish-drejtorit të Agjencisë Kosovare të Intelegjencës (AKI), Bashkim Smaka, i cili për një kohë ka shërbyer gjithashtu në ekipin këshilldhënës të ish-presidentit Thaçi.

Edhe në shkurt të këtij viti ekipet policore të EULEX-it me urdhër të Zyrës së Prokurorit të Specializuar kishin kryer bastisje në banesën e Adil Behramaj, këshilltar politik i ish-presidentit Thaçi, aksion që kishte nisur rreth orës 08:30 mëngjesin e 22 shkurtit e kishte përfunduar në mbrëmje.

EULEX-i ka kryer bastije edhe në banesën e familjarëve të dëshmorëve, Fahri e Bahri Fazliu, në lagjen “Kodra e Diellit” në Prishtinë, në shtator të këtij viti, nën arsyetimin se të njëjtët kanë tentuar të ndikojnë në dëshmitarë, derisa procesi gjyqësor ndaj ish-krerëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës (UÇK) është duke vazhduar në Hagë.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore