Shqipëria

Begaj takohet me Aliyev, në vëmendje sektori energjetik


Presidenti i Republikës, Bajram Begaj, gjatë vizitës së tij zyrtare në Azerbajxhan, ka takuar edhe homologun e tij, Ilham Aliyev, me të cilin ka folur për një seri çështjesh, ku më e rëndësishmja mbetet ajo e sektorit energjetik në Shqipëri dhe njëkohësisht gjithë Ballkanin Perëndimor.

Përmes një postimi në median sociale Twitter, Begaj ka shpërndarë disa çaste nga takimi, duke theksuar se fryma e bashkëpunimit mes dy vendeve do të vijojë përpara.

“Bisedat tona u përqendruan tek problemet energjetike dhe te Ballkani Perëndimor”, thekson kreu i shtetit në mesazhin e tij.

Nga ana tjetër, Aliyev ka përmendur se vendimet për të forcuar bashkëpunimin kanë qenë tepër të frytshme dhe kjo gjë po dëshmohet edhe në Forumin e 10-ë Global të Baku-t, i cili po zhvillohet këtë fundjavë në kryeqytetin azer.

Sipas Aliyev, në kohët e sotme, ku Evropa është kapluar nga lufta në Ukrainë, çështja e gazit është me shumë rëndësi dhe Shqipëria e ka një potencial për të qenë shtet kryesor për përballimin e krizës, parë edhe projektin TAP, i cili transporton gazin azer në Evropë, përmes territorit shqiptar.

“Jemi shumë me fat që ju keni marrë një përkushtim të tillë dhe se me kalimin e kohës e kemi fituar këtë miqësi mes vendeve”, nënvizoi Aliyev në fjalën e tij.

Si mund ta shpëtojë Azerbajxhani Ballkanin nga ndikimi energjetik rus

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore