Lajme

Beçiroviç: Dhuna ligjore nga autoritetet e RS s’duhet të tolerohet më


Anëtari boshnjak i presidencës Bosnje e Hercegovinës, Denis Beçiroviç.

Anëtari boshnjak i presidencës trepalëshe (boshnjake, serbe dhe kroate) të Bosnje e Hercegovinës, Denis Beçiroviç, këtë të enjte ka biseduar me Përfaqësuesin e Lartë BeH, Christian Schmidt, për situatën aktuale atje, në kohën e sulmeve serioze ndaj rendit kushtetues dhe sanksioneve të fundit të vendosura nga Departamenti amerikan i Thesarit ndaj zyrtarëve të lartë Republikës Srpska – entiteti serb në BeH.

Beçiroviç ka theksuar se “në këtë moment nuk ka temë më të rëndësishme se mbrojtja e rendit kushtetues të BeH, sepse është parakusht themelor për intensifikimin e integrimeve evropiane dhe euroatlantike”.

“Politikanët që nënvlerësojnë apo relativizojnë sulmin ndaj rendit kushtetues punojnë drejtpërdrejt në favor të politikës së Milorad Dodik-ut. Sanksionet e fundit amerikane janë të justifikuara dhe është e nevojshme të ndalet sulmi ndaj rendit kushtetues të BeH”.

“Institucionet kryesore që garantojnë paqen dhe sigurinë, përkatësisht Përfaqësuesi i Lartë dhe Gjykata Kushtetuese e BeH, u sulmuan. Këto institucione nuk mund dhe nuk duhet të shkëmbehen me aktorët e sulmit ndaj rendit kushtetues”, potencoi ai.

Bashkësia ndërkombëtare, bënë thirrje ai, “duhet t’i japë fund aktiviteteve separatiste sa më parë me masa konkrete, si dhe sulme të rrezikshme në themelet e Marrëveshjes së Paqes të Dejtonit (marrëveshja që i dha fund luftës në BeH, më 1995).

“Është më mirë të përdoren masa konkrete për të parandaluar shkatërrimin e Marrëveshjes së Paqes të Dejtonit, sesa të lejohen individë të papërgjegjshëm të kërcënojnë tridhjetë vjet të ndërtimit të paqes dhe stabilitetit në BeH”, shtoi ai.

Nga ana tjetër, Schmidt ka thënë se po Zyra e Përfaqësuesit të Lartë po ndjek me kujdes zhvillimin e situatës në BeH , duke shtuar se i mban të hapura të gjitha opsionet.

“Të gjitha instrumentet e mbrojtjes së Marrëveshjes së Paqes të Dejtonit janë në tryezë”, theksoi Schmidt.

Ndryshe, të hënën Shtetet e Bashkuara të Amerikës kanë vendosur sanksione ndaj anëtares serbe të Presidencës së Bosnje e Hercegovinës, Zhelka Cvijanoviç, dhe zyrtarëve të tjerë të lartë nga Republika Srpska, për shkak të minimit të Marrëveshjes së Paqes të arritur në Dejton më 1995 (marrëveshja që i dha fund luftës në BeH), thuhet në njoftimin e Ambasadës së ShBA-së në Sarajevë.

Në listën e sanksioneve të Departamentit amerikan të Thesarit janë futur edhe kryetari i Parlamentit të Republikës Srpska, Nenad Stevandiç, kryeministri i këtij entiteti, Radovan Vishkoviç dhe ministri i Drejtësisë në Republikën Srpska, Millosh Bukejlloviç.

Sipas thesarit amerikan zyrtarët e sanksionuar janë drejtpërdrejtë përgjegjës për inkurajimin e miratimit të vendimeve nga Asambleja Kombëtare e entitetit të Republikës Srpska për të shpallur vendimet e Gjykatës Kushtetuese të Bosnjës si të pavlefshme në këtë entitet. Me këtë veprim, sipas SHBA-së, ata kanë kërcënuar zbatimin e Marrëveshjes së Dejtonit.

“Këto veprime kërcënojnë stabilitetin, sovranitetin dhe integritetin territorial të Bosnje e Hercegovinës dhe paqes të fituar me mund të mbështetur nga Marrëveshja e Dejtonit. Kjo sjellje kërcënon më tej trajektoren e të ardhmes së shtetit dhe integrimit të suksesshëm në institucionet euroatlantike”, tha nënsekretari i Thesarit për Terrorizëm dhe Financimin e Inteligjencës, Brian E.Nelson.

“Ne do të vazhdojmë të mbështesim popullin e Bosnje e Hercegovinës në përpjekjet e tyre për sundim të ligjit dhe të sigurohemi që paqja dhe prosperiteti të mbizotërojnë”, shtoi ai

Presidenti i Republikës Srpska, Millorad Dodik, ka sponsorizuar ligjin që i shpallë të pavlefshme vendimet e Gjykatës Kushtetuese të Bosnjës në territorin e këtij entiteti.

 

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore