Lajme

BE-ja të premten do të vazhdojë diskutimet për Kosovën dhe Serbinë


Ilustrim

Këshilli Evropian, këtë të premte, gjatë ditës së dytë të samitit të Bashkimit Evropian, do të diskutojë për marrëdhëniet në mes të Kosovës dhe Serbisë.

Presidenti i Këshillit Evropian, Charles Michel, të enjten në një konferencë tha se Këshilli nuk arriti të diskutoi për marrëdhëniet mes dy vendeve ballkanike, duke shtuar se “ne e mbështesim normalizimin e raporteve dhe shtensionimin [e situatës]. Për këtë do të diskutojmë nesër [e premte] në takimin e Këshillit”.

Në anën tjetër presidentja e Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen, tha se Komisioni është duke e pritur rezultatin e hetimeve rreth sulmit terrorist në Banjë të Zveçanit kur u pyet për akuzat se Komisioni nuk ka qëndrim të baraspeshuar, pasi mori masa ndaj Kosovës në fillim të këtij viti, por jo edhe ndaj Serbisë, e cila e mohon përgjegjësinë për sulmin e muajit të kaluar.

“Do të jem shumë e shkurtër në përgjigje, hetimet janë duke u zhvilluar dhe kemi thënë disa herë se kur të përmbyllen hetimet, ne do të vendosim për të ndërmarrë masa dhe çfarë lloj masash”, tha ajo.

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, dhe Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiç, u pritën të enjten në takime të ndara nga liderët e Gjermanisë, Francës, Italisë, si dhe nga shefi i politikës së jashtme të BE-së, Josep Borrell, dhe përfaqësuesi i posaçëm i BE-së në dialogun Kosovë-Serbi, Mirosllav Lajçak.

Takimet, e cilësuara si përpjekje për të ringjallur dialogun për normalizimin e marrëdhënieve, mbaruan pa ndonjë pajtim mes palëve.

Kurti, ka insistuar në nënshkrimin e marrëveshjeve të arritura në kuadër të prociesit të dialogut për normalizimin e marrëdhënieve me Serbinë, përfshirë edhe “propozimin modern evropian” për statutin e Asociacionit të Komunave me Shumicë Serbe në Kosovë, porse presidenti i Serbisë, Aleksandër Vuçiç, ka refuzuar nënshkrimin e tekstit sikurse në takimet e mëparshme.

Pas takimeve, Kurti tha se vetëm nënshkrimi i marrëveshjeve me vendin fqinj, garanton zbatimin e tyre.

Ndërsa Vuçiç potencoi në një konferencë për media se e ka pranuar themelimin e Asociacionit të Komunave me Shumicë Serbe, sipas propozim-statutit që i është propozuar nga emisarët ndërkombëtarë më 21 tetor në Beograd.

Ai theksoi se Serbia është pro zbatimit të marrëveshjes së Brukselit/Ohrit, por ka shtuar se shteti i tij nuk mund ta njoh Kosovën si vend të pavarur dhe as nuk do ta pranojë anëtarësimin e saj në OKB.

Në anën tjetër shefi i politikës së jashtme të BE-së, Josep Borrell, i cili ndërmjetëson bisedimet për normalizimin e marrëdhënieve Kosovë-Serbi, tha se marrëveshja mes tyre nuk ishte e mundur, sepse “parakushtet e njërës palë ishin të papranueshme për tjetrën”.

“Palët nuk ishin të gatshme të bien dakord për të pa parakushte, e që janë të papranueshme për palën tjetër. Në fund, ne kërkojmë që palët të angazhohen sinqerisht në procesin e normalizimit”, tha Borrell.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore