Lajme

BE -ja solidarizohet me Letoninë, Lituaninë dhe Poloninë mbi Bjellorusinë


Një zyrtar i lartë i Bashkimit Evropian (BE), ka dënuar autoritetet bjelloruse dhe shprehu mbështetje ndaj Polonisë, Lituanisë dhe Letonisë, pasi një gjendje e jashtëzakonshme hyri në fuqi në zonat e Polonisë lindore pas një rritje të migrimit ilegal.

Shefi i punëve të jashtme të BE -së Josep Borrell, gjatë takimit të ministrave të Jashtëm të BE-së në Slloveni, tha se “solidarizohen me Lituaninë, Letoninë dhe Poloninë dhe se “ne jemi të gatshëm të marrim të gjitha masat për t’i mbështetur ata, nëse situata vazhdon të përkeqësohet”.

Gjithashtu, Borrel shprehu keqardhje që regjimi i Lukashenkos ka përdorur “në mënyrë cinike” emigrantët dhe refugjatët “për të krijuar presion mbi kufijtë tanë Lindorë”.

“Kur kishim presion të emigrantëve në kufirin spanjoll, ne deklaruam se, kufiri spanjoll me Marokun është kufi evropian. Tani është koha për të thënë se kufijtë e Lituanisë dhe Polonisë, në pjesën Lindore të Evropës, janë gjithashtu kufijtë e Evropës”, tha Borrell.

“Lufta hibride”

Polonia shpalli gjendjen e jashtëzakonshme pasi mijëra emigrantë nga Iraku, Afganistani dhe gjetkë u përpoqën të kalonin ilegalisht në vend, javët e fundit.

Gjithashtu dhe shtetet baltike argumentojnë se presidenti i Bjellorusisë, Alexander Lukashenko, po zhvillon një “luftë hibride” kundër vendeve të BE-së, që kufizohen me Bjellorusinë, si hakmarrje për sanksionet e BE-së.

Tre shtetet kanë përforcuar kufijtë e tyre, ku Lituania dhe Letonia gjithashtu shpallën gjendje të jashtëzakonshme këtë verë.

Ndërkohë, zyrtarët e të drejtave të njeriut kanë shprehur shqetësim për një grup me 32 afganësh të bllokuar për më shumë se tre javë në kufirin Poloni-Bjellorusi.

Zyrtarët polakë thanë se gjendja e jashtëzakonshme ishte e nevojshme për të ndaluar migrimin dhe parandaluar provokimet pas një proteste të kohëve të fundit në kufi që përfshiu 13 aktivistë që përpiqeshin të prisnin një barrierë të re me tela.

Ata gjithashtu cituan rreziqet e mundshme të lidhura me stërvitjet ushtarake ruse që fillojnë më vonë këtë muaj, të cilat gjithashtu do të përfshijnë elementë në Bjellorusi.

Marre nga Euronews, përshtatur për Albanian Post.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore