Lajme

Polonia shpall gjendjen e jashtëzakonshme në kufirin me Bjellorusinë


Qeveria e Polonisë ka shpallur gjendjen e jashtëzakonshme në dy provinca pranë kufirit të saj me Bjellorusinë.

Kjo pas një fluksi emigrantësh që kanë mbërritur në kufirin e Polonisë me Bjellorusinë, javët e fundit, për të cilin Varshava fajëson Minskun.

Ardhja e emigrantëve bëri që qeveria e Polonisë t’i bënte thirrje presidentit Andrzej Duda, të shpallte gjendjen e jashtëzakonshme.

Duda theksoi dhe një herë, në deklaratën e tij, rrezikun e mundshëm nga aktorët e huaj dhe mbledhjet e protestuesve në Poloni.

Presidenti i Polonisë njoftoi gjendjen e jashtëzakonshme të enjten, në Podlaskie dhe Lubelskie, të dy provincat polake në kufi me Bjellorusinë.

Organizata për të drejtat e njeriut, Amnesty International, denoncoi shpalljen e gjendjes së jashtëzakonshme, duke theksuar se kjo mund të “përkeqësojë situatën e tmerrshme” të emigrantëve që janë bllokuar në kufi.

Amnesty International deklaroi se ishin 32 afganë, përfshirë katër gra, 27 burra dhe një vajzë 15-vjeçare, të cilët u përzunë nga Polonia. Ata “janë mbajtur pa ushqim të përshtatshëm dhe ujë të pastër për më shumë se tri javë”.

Ministri i Brendshëm, Mariusz Kamiński, tha se autoritetet lokale mbështetën aksionin, i cili ishte “në interes të sigurisë së qytetarëve tanë, veçanërisht banorëve të qyteteve kufitare”.

Kamiński njoftoi se rregullat e gjendjes së jashtëzakonshme, e cila përfshin pezullimin e ngjarjeve masive, do të prekin më së shumti “të huajt” sesa banorët e qyteteve.

Njerëzit në zonat nën gjendjen e jashtëzakonshme, gjithashtu, do të duhet të mbajnë me vete një kartë identiteti.

Polonia është një nga shumë vendet e BE-së që ka akuzuar Bjellorusinë për dërgimin e emigrantëve përtej kufirit, si pjesë e një “lufte hibride” në përgjigje të sanksioneve.

BE vendosi sanksione ndaj Bjellorusisë, pas rizgjedhjes së diskutueshme të Lukashenkos, në vitin 2020 dhe goditjes pasuese të mospajtimit.

Polonia gjithashtu, mirëpriti atleten olimpike të internuar, Krystsina Tsimanouskaya, pasi ajo iku nga Tokio, për shkak të frikës së kthimit në Bjellorusi.

Qeveria polake ka njoftuar ndërtimin e një gardhi përgjatë kufirit, për të parandaluar hyrjen e emigrantëve, edhe pse Gjykata Evropiane e të Drejtave të Njeriut u kërkoi vendeve të ndihmojnë emigrantët e bllokuar në kufijtë e tyre me Bjellorusinë.

“Një gjendje e jashtëzakonshme lejon një shtet të kufizojë disa të drejta të njeriut në rrethana ekstreme ku ekziston ” kërcënimi për jetën e kombit “, tha Nils Muižnieks, Drejtor për Evropën në Amnesty International.

“Asnjë kërcënim i tillë nuk ekziston në Poloni ku autoritetet po përpiqen të shfrytëzojnë në mënyrë cinike këtë fuqi për të synuar azilkërkuesit dhe ata që i mbështesin ata”.

Marrë nga Euronews, përshtatur për Albanian Post.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore