Lajme

BE-ja: Së shpejti pritet të nis themelimi i Asociacionit – Kosova është e ftuar të japë komentet për draftin që është në tryezë


Flamuri i Kosovës dhe Bashkimit Evropian.

Sipas, Bashkimit Evropian, themelimi i Asociacionit të Komunave me Shumicë Serbe do të nis së shpejti.

Zëdhënësi i Bashkimit Evropian, Peter Stano, në një përgjigje për Radio Evropën e Lirë ka deklaruar se presin që Kosova të marrë hapa konkretë si dhe të japin komentet për draftin që është në tryezë.

“Në këtë fazë të avancuar të procesit, pritet që së shpejti të fillojë me themelimin e Asociacionit së Komunave me Shumicë Serbe. Kosova është e ftuar të japë komentet dhe sugjerimet e saj për draftin që është në tryezë”, ka thënë Stano.

Ai përsëriti se draft-statuti i hartuar nga BE-ja është, “një mënyrë moderne evropiane për zgjidhjen e çështjes së ndjeshme të mbrojtjes së pakicave”.

Zëdhënësi i Bashkimit Evropian, Peter Stano.

Më 3 janar, ministri për Komunitete dhe Kthim, Nenad Rashiç, është shprehur optimist se gjatë vitit 2024 do të fillojë zbatimi i Asociacionit të Komunave me Shumicë Serbe.

Implementimi i një mekanizmi të tillë në terren, sipas tij, do të jetë në përputhje me Ligjet dhe Kushtetutën e Kosovës.

“Unë sinqerisht besoj se do të miratohet këtë vit, por kur njëra nga palët tenton të humbasë momentumin duke blerë kohë i jep hapësirë ​​palës tjetër që të gjejë justifikime se diçka nuk bën”, ka thënë ai në një intervistë për Zërin e Amerikës edicioni në gjuhën serbe.

Ai ka potencuar se është i gatshëm të marrë pjesë edhe në shkrimin e draft-statutit të Asociacionit sipas kërkesës së kryeministrit të Kosovës, Albin Kurtit, i cili javë më parë propozoi hartimin e një dokumenti për këtë mekanizëm në bashkëpunim me Rashiç dhe ministrin e Administrimit të Pushtetit Lokal, Elbert Krasniqi.

Kurtit në dhjetor të vitit 2023, deklaroi se është i gatshëm ta shkruaj një draft modern evropian për Asociacionin e Komunave me Shumicë Serbe gjatë vitit 2024.

Duke iu përgjigjur të deleguarit të BE-së për dialogun Kosovë-Serbi, Miroslav Lajçak, i cili së fundi ka deklaruar se draft-statuti i Asociacionit është çështje e brendshme e Kosovës, Kurti shprehu interesimin e hartimit të një draft-statuti në bashkëpunim me ministrat Nenad Rashiç dhe Elbert Krasniqi.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore