Lajme

Rashiç beson se Asociacioni formohet gjatë vitit 2024


Nenad Rashiç

Ministri për Komunitete dhe Kthim, Nenad Rashiç, është shprehur optimist se gjatë vitit 2024 do të fillojë zbatimi i Asociacionit të Komunave me Shumicë Serbe.

Implementimi i një mekanizmi të tillë në terren, sipas tij, do të jetë në përputhje me Ligjet dhe Kushtetutën e Kosovës.

“Unë sinqerisht besoj se do të miratohet këtë vit, por kur njëra nga palët tenton të humbasë momentumin duke blerë kohë i jep hapësirë ​​palës tjetër që të gjejë justifikime se diçka nuk bën”, ka thënë ai në një intervistë për Zërin e Amerikës edicioni në gjuhën serbe.

Ai ka potencuar se është i gatshëm të marrë pjesë edhe në shkrimin e draft-statutit të Asociacionit sipas kërkesës së kryeministrit të Kosovës, Albin Kurtit, i cili javë më parë propozoi hartimin e një dokumenti për këtë mekanizëm në bashkëpunim me Rashiç dhe ministrin e Administrimit të Pushtetit Lokal, Elbert Krasniqi.

“Para së gjithash do të duhej të kisha një numër të caktuar ekspertësh nga fusha të ndryshme, juridike, ekonomie, administrate, në mënyrë që të mund të harmonizojmë draft-statutin tonë të mundshëm me legjislacionin dhe kushtetutën e Kosovës. Do të duhej kohë për këtë, por sigurisht do të merrja një përgjegjësi të tillë”.

Kurtit në dhjetor të vitit të kaluar tha se është i gatshëm ta shkruaj një draft modern evropian për Asociacionin e Komunave me Shumicë Serbe gjatë vitit 2024.

Duke iu përgjigjur të deleguarit të BE-së për dialogun Kosovë-Serbi, Miroslav Lajçak, i cili së fundi ka deklaruar se draft-statuti i Asociacionit është çështje e brendshme e Kosovës, Kurti shprehu interesimin e hartimit të një draft-statuti në bashkëpunim me ministrat Nenad Rashiç dhe Elbert Krasniqi.

“Draft statutin e Asociacionit mua më thuhej se duhet ta pranojë edhe Serbia (andaj qysh në takimin e Ohrit kam ofruar që ta shkruaj atë mbi tri parime, ofertë kjo që u refuzua nga Vuçiç). Sipas deklarimit të fundit të emisarit evropian Mirosllav Lajçak, meqë draft statuti na qenka veçse çështje e brendshme e Kosovës, në vitin e ardhshëm, unë mund ta shkruaj një draft modern evropian në konsultim me ministrat e mi Nenad Rashiç (Komunitete dhe Kthim) dhe Elbert Krasniqi (Administrimi i Pushtetit Lokal”, shkroi ai.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore