Lajme

BE-ja ngrin asetet ruse me vlerë 13.8 miliardë euro


Bashkimi Evropian ka ngrirë 13.8 miliardë euro asete ruse që prej fillimit të luftës në Ukrainë.

Lajmi u bë i ditur nga transmetuesi belg “RTBF”, duke cituar Komisionerin Evropian për Drejtësi, Didier Reynders.

Sipas zyrtarit evropian, më shumë se 12 miliardë euro janë të ngrira vetëm në pesë shtete anëtare.

“Ne duhet të vazhdojmë të bindim shtetet e tjera anëtare që të bëjnë të njëjtën gjë. Shpresoj që në javët në vijim do të shohim aktivizimin e këtyre proceseve në të gjitha vendet anëtare”, theksoi Reynders.

Ai refuzoi të zbulojë emrat e pesë vendeve të BE-së që ngrinë më shumë asete.

Në Gjermani, ministri i Financave, Christian Lindner në mesin e qershorit zbuloi bllokimin e 4.48 miliardë euro asete ruse.

Autoritetet belge ngrinë 2.7 miliardë euro asete ruse në prill të vitit të kaluar, sipas ministrit të Financave Vincent Van Peteghem.

Italia dhe Irlanda kanë ngrirë asete me vlerë 1.7 miliardë euro secila.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore