Lajme

“BE-ja me këtë qasje po garanton përshkallëzime të reja” – kritikohet takimi i Varhely-it me ministren serbe


Tanja Misçeviç dhe Oliver Varhelyi

Në kohën kur debati publik është orientuar mbi nevojën e sanksionimit të Serbisë nga ana e Bashkimit Evropian pas sulmit terrorist në Banjë, Komisioneri për Zgjerim dhe Fqinjësi të mirë i BE-së, Oliver Varhelyi dhe ministrja e Integrimeve Evropiane të Serbisë, Tanja Misçeviç, kanë diskutuar për rrugën përpara të Serbisë drejt integrimit në BE.

Përmes një postimi në platformën sociale, X, Varhelyi, nënvizoi faktin se axhenda e reformës së Unionit është një prioritet kryesor për Serbinë, ndërsa ka inkurajuar këtë të fundit të vazhdojë të tregojë përkushtimin e saj për sundim të ligjit.

Megjithatë takimi i Komisionerit të BE-së me ministren serbe, sidomos pas sulmit terrorist në Banjë të Zveçanit, u kritikua nga njohësit e marrëdhënieve ndërkombëtare.

Sipas analistit politik, Agon Maliqi, BE-ja me këtë qasje ndaj Beogradi zyrtar po garanton përshkallëzime të reja në terren.

“Kanë kaluar pothuajse tre javë që kur një kryengritje e armatosur nga një strukturë e sponsorizuar nga Serbia u pengua në Kosovë nga policia dhe NATO. Zero masa ndëshkuese të marra nga BE-ja, vetëm fjalë inkurajimi. Me këtë nivel parandalimi garantohen përshkallëzime të reja”, shkroi Maliqi në platformën sociale, X.

Në të njëjtën linjë të mendimit është edhe ligjëruesi në Universitetin Warwick të Britanisë së Madhe, Andi Hoxhaj.

Sipas tij Varhelyi ende po mund të vlerësojë përpjekjet e Serbisë në fushën e sundimit të ligjit përkundër faktit se Serbia ishte ajo e cila qëndroi prapa grupit terrorist i cili hyri ilegalisht në Kosovë sulmoi Policinë duke lënë të vrarë një pjesëtarë të saj.

“Komisioneri i Zgjerimit të BE-së i ka kthyer në një farsë kriteret e politikës së zgjerimit të BE-së për sundimin e ligjit. Komisioneri i BE-së vlerëson ‘përpjekjet e Serbisë në fushën e sundimit të ligjit’, përkundër faktit se paraushtarakët përgjegjës për sulmin ndaj Kosovës po ecin të lirë në Serbi”, ka shkruar ai në platformën sociale, X.

Varhelyi thotë se për BE-në është prioritet agjenda evropiane e Serbisë

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore