Lajme

Varhelyi thotë se për BE-në është prioritet agjenda evropiane e Serbisë


Oliver Varhelyi dhe Tanja Misçeviç

Në kohën kur debati publik është orientuar mbi nevojën e sanksionimit të Serbisë nga ana e Bashkimit Evropian pas sulmit terrorist në Banjë, Komisioneri për Zgjerim dhe Fqinjësi të mirë i BE-së, Oliver Varhelyi dhe ministrja e Integrimeve Evropiane të Serbisë, Tanja Misçeviç, kanë diskutuar për rrugën përpara të Serbisë drejt integrimit në BE.

Përmes një postimi në platformën sociale, X, Varhelyi ka nënvizuar faktin se axhenda e reformës së Unionit është një prioritet kryesor për Serbinë, ndërsa ka inkurajuar këtë të fundit të vazhdojë të tregojë përkushtimin e saj për sundim të ligjit.

“Diskutim të Hapur me Misçeviç. E inkurajoj Serbinë të vazhdojë të tregojë përkushtimin e saj për të përmbushur çështjet e jashtëzakonshme të sundimit të ligjit dhe për të siguruar zbatimin e ligjeve të fundit. Takimi ynë konfirmon se Axhenda e reformës së BE-së është një prioritet kryesor për Serbinë”, ka shkruar Varhelyi në platformën sociale, X.

Çfarë ndodhi?

Një grup i armatosur të dielën e 24 shtatorit, ka sulmuar Policinë e Kosovës në Banjë të Zveçanit, duke lënë të vrarë rreshterin, Afrim Bunjaku.

Autoritetet e Kosovës akuzuan drejtpërdrejtë Serbinë se qëndron prapa këtij sulmi terrorist, teksa kryekrimineli Milan Radojiçiç – njeri i besuar i presidentit serb Aleksandër Vuçiç – ka marrë përgjegjësinë për këtë sulm.

Radojiçiç u arrestua të martën nga autoritetet serbe, për t’u liruar një ditë më pas.

Vendet perëndimore, përfshirë Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe Bashkimi Evropian e kanë dënuar këtë sulm, derisa kanë kërkuar që përgjegjësit të sillen para drejtësisë.

Nga ana tjetër, Serbia nuk është distancuar nga ky sulm, përkundrazi ka shpallur ditë zie kombëtare, për t’i nderuar kështu terroristët e vrarë.

Përveç kësaj, Beogradi zyrtar, pas sulmit terrorist, dislokoi një numër të madh të trupave ushtarake përgjatë kufirit me Kosovën.

Ky veprim i Serbisë nxiti reagimin e bashkësisë ndërkombëtare, të cilët kërkuan që menjëherë të zvogëlohet numri i trupave ushtarake.

Pas këtyre thirrjeve të qarta të ndërkombëtarëve, Beogradi njoftoi se ka filluar reduktimin e trupave ushtarake përgjatë kufirit me Kosovën.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore