Kosova

BE-ja kërkon drejtësi për vrasjen e policit të EULEX-it në veri – Ofron shpërblim prej 82 mijë eurosh për informacione


Ilustrim

Bashkimi Evropian (BE) ka kërkuar drejtësi dhe përgjegjësi me rastin e 10-vjetorit të vrasjes së doganierit lituanez të Misionit të BE-së për Sundim të Ligjit (EULEX), Audrius Senavicius, në pjesën veriore të Kosovës të banuar me shumicë serbe, përkatësisht në rrethinën e Zveçanit, ndërsa ka ofruar një shpërblim prej 82 mijë eurosh për informacione.

Komandanti i Operacioneve Civile të BE-së, Stefano Tomat, Përfaqësuesi i Përhershëm i Lituanisë në BE, Arnoldas Pranckevicius, shefi i EULEX-it, Giovanni Pietro Barbano dhe Drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Kosovës, Gazmend Hoxha, të martën kanë përkujtuar 10-vjetorin e vdekjes tragjike të tij në dy ceremoni – njëra në Bruksel, tjetra në Prishtinë.

“Edhe pse kanë kaluar dhjetë vite, ky krim nuk është zbardhur ende dhe autorët nuk kanë dhënë përgjegjësi. Audriusi dhe familja e tij meritojnë drejtësi. EULEX-i dhe Bashkimi Evropian presin drejtësi. Kosova dhe rajoni kanë nevojë për drejtësi”, thuhet në njoftimin e EULEX-it, duke kujtuar se automjeti i tij ishte qëlluar me armë zjarri nga persona të panjohur në veri të Kosovës.

EULEX-i gjithashtu ka ofruar një shpërblim prej 82 mijë eurosh për informacione që mund të çojnë në arrestimin dhe dënimin e autorit apo autorëve të kësaj vrasjeje, ndërsa kanë apeluar tek të gjithë qytetarët që nësë kanë informacione lidhur me rastin në fjalë të paraqiten menjëherë në zyrën e Policisë së Kosovës ose të EULEX-it.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore