Lajme

Baze: Kurti po bën ashtu siç serbët duan të veprojë një kryeministër i Kosovës


Mero Baze

Publicisti dhe gazetari shqiptar, Mero Baze, në një shkrim autorial të publikuar të mërkurën, ka thënë se përplasjet mes Qeverisë së Kosovës dhe partnerëve perëndimorë në krye me Shtetet e Bashkuara të Amerikës është gjëja më e rëndë që i ka ndodhur edhe Kosovës, por edhe Perëndimit.

Teksa komentoi sanksionet/pasojat që Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe Bashkimi Evropian kanë paralajmëruar ndaj Kosovës nëse kryeministri Albin Kurti nuk i dëgjon kërkesat e tyre për qetësimin e situatës në veri vendit, tha se ekzekutivi kosovar ka prishur “paktin e ekzistencës së Kosovës”.

Baze madje konsideroi se me veprimet e pakoordinuara dhe të njëanshme në pjesën veriore të banuar me shumicë serbe, kryeministri Kurti e detyroi Perëndimin që “të ndjehen të penduar për çfarë bënë për Kosovën” dhe për më tepër “të rikthehen aty pas 24 vitesh, për të shlyer gabimin e tyre”.

“Kjo është po ashtu shumë e rëndë për Kosovën, pasi në kohën kur kishte gjithë mundësitë dhe shanset të zhvillohej si shtet me fytyrë nga Perëndimi dhe me standardet e Perëndimit, bie nën duart e një qeverie, e cila ka bashkuar gjithë Perëndimin kundër Kosovës”, shkroi Baze.

Ai ka kritikuar ashpër gjuhën aspak diplomatike të kreu të ekzekutivit kosovar ndaj Sekretarit amerikan të Shtetit, Antony Blinken, të cilin e quajti “naiv”, kurse deklaratat e tij për situatën në veri të Kosovës “të gabuara”, “lënduese” dhe “të padrejta”.

“Sekretari i Shtetit Antony Blinken, i cili është personi që ka shkruar fjalimin e presidentit [Bill] Klinton në mars 1999, që argumentonte ‘pse duhet bombarduar Serbia’, sot cilësohet si naiv nga Kurti, dhe si njeri që e njeh gabim historinë e Kosovës. I thuhet kjo, njeriut që e ka bërë historinë e Kosovës me duart e tij”, shkroi Baze.

“Pas 24 vitesh, SHBA ka dilemën nëse Kosova do të jetë si Palestina apo si Qipro, duke shuar shpresat e saj të 24 viteve më parë, që do bëhej një shtet i qytetarëve evropianë”, vazhdoi tutje ai, duke komentuar sanksionet me të cilat pritet të përballet Kosova nëse kryeministri s’i përgjigjet pozitivisht thirrjeve të Perëndimit.

“SHBA dhe BE po mendojnë seriozisht për vendosjen e një protektorati ‘de facto’ e ndoshta dhe ‘de jure’ në Veri të Kosovës, që të mos kthehet në vatër destabilizuese në rajon, duke shuar shpresat se qeveria e shtetit të Kosovës do të vazhdonte të qeveriste vendin, bazuar në arsyet pse Kosova u bë shtet i pavarur nga SHBA dhe Perëndimi”.

Baze për më tepër konsideroi se kryeministri Kurti është “një njeri më i keq” se “agjentët serbë të konservuar brenda shqiptarëve”, ndërsa shtoi se kryeministri kosovar po vepron “ashtu siç serbët duan të veprojë një kryeministër i Kosovës”.

“Disa të tjerë thonë e bën se është frikacak dhe meqë nuk merr dot vendime si burrë shteti, kërkon të viktimizohet, duke u rrëzuar gjithmonë nga pushteti për të mbetur gjithnjë një alternativë e parealizuar”, shkroi ndër të tjera Baze.

“Ai do të rrafshojë gjithçka është bërë për Kosovën deri më sot dhe gjithë arsyet përse është bërë Kosova. Tani e tutje ai do që historia e Kosovës të nisë me historinë e tij. Ai është një lloj Neroni (perandor romak) i cili preferon që Kosova të digjet para syve të tij dhe kjo të ngjajë si sinjal shprese për rikthimin e Mesias (profetit)”.

“Në fund ai shpreson që protektorati ndërkombëtar do vendoset në Veri, dhe historia nuk do shkruajë më për atë Kosovë që u bë shtet i lirë dhe i pavarur me gjakun e shqiptarëve dhe bombat e NATO, por për një Kosovë që e krijoi Albin Kurti, që nuk është më as e pavarur, as e Perëndimit, dhe as e shqiptarëve”

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore