Shqipëria

‘Baza detare e NATO-s në Shqipëri është paralajmërim për Vladimir Putin’


“Shqipëria po i dërgon një sinjal paralajmërues presidentit rus, Vladimir Putin, përpara një takimi të NATO-s për bazën e re detare në vend”.

Kështu e nis shkrimin tabloidi britanik “Express”, i cili i paraprin takimit të kryeministrit shqiptar, Edi Rama, me Sekretarin e Përgjithshëm të NATO-s, Jens Stoltenberg, pikërisht për të diskutuar mbi ndërtimin e një baze detare të aleancës në bregdetin shqiptar, pas dakordësisë për ndërtimin e bazës ajrore të organizatës në Kuçovë.

Bëhet fjalë për një bazë në Porto Romano, 40 minuta larg kryeqytetit dhe shumë më e aksesueshme se sa ajo e Pashalimanit në Vlorë.

Me gjasë, financimi do të jetë dypalësh, mes NATO-s dhe Shqipërisë, por detaje ende nuk janë bërë të ditura.

Kjo lëvizje, sipas artikullit të “Express”, nuk vjen krejt e rastësishme, por si paralajmërim për Vladimir Putinin.

Së pari, pasi për shkak se baza është ekzsistuese në Porto Romano dhe përdoret nga Ushtria shqiptare, do të kërkohet më pak kohë dhe investim për ta modernizuar në parametrat e kërkuar nga aleanca.

Së dyti, për shkak të pozicionit shumë të volitshëm gjeografik, në detin Adriatik – një dalje detare e kamotshme e dëshiruar nga sllavët.

Me një bazë ajrore të re me kosto rreth 40 milionë euro, e cila pritet të bëhet funksionale në vitin 2023, si edhe me një bazë detare potenciale nëse NATO e pranon propozimin shqiptar, vendi mundet menjëherë të kthehet në pikën rajonale të referimit, sa i përket mbrojtjes.

Në një kohë mbi të gjitha si kjo e sotmja, ku agresioni rus në Ukrainë ka qenë ndryshues për gjithë botën, siguria shndërrohet në temë epiqendër edhe më të rëndësishme.

Marrëveshja gjithsesi mbi Porto Romanon mbetet potenciale, por paralajmëruese për Moskën, përmbyllet qasja e tabloidit britanik mbi çështjen.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore