Sport

Bayern Munich-u dhe Real Madrid-i rivalizojnë Wolfsburg-u për Pepi-n


18-vjeçari amerikan i skuadrës së Dallas-it, Ricardo Pepi, ka tërhequr vëmendjen e disa klubeve evropiane.

Sipas raportimeve që vijnë nga mediat sportive në Evropë, për sulmuesin interesohen skuadra si Wolfsburg-u, Bayern Munich-u, Real Madrid-i, Borussia Dortmund-i dhe Ajax-i.

Pepi këtë sezon në MLS ka arritur të luajë 31 ndeshje, nga ku ka shënuar 13 gola dhe ka dhuruar dy asiste.

Gazeta gjermane “Kicker”, raporton se Wolfsburg-u ka rënë dakord për kushtet personale me sulmuesin e Shteteve të Bashkuara, por ende me klubin. Amerikanët kërkojnë rreth 15 milionë euro për talentin e tyre.

Bayern-u është klubi evropian që ka bashkëpunim të ngushtë me Dallas-in. Bavarezët sjellin lojtarët e talentuar amerikan për t’u trajnuar në Mynih.

Më herët në aksin Mynih – Dallas është transferuar Chris Richards-i. 21-vjeçarin nga Alabama, Bayern-i e ka huzuar te Hoffenheim-i deri në fund të këtij sezoni.

Justin Che është një tjetër talent 18-vjeçar i Dallas-it, që ka qenë pjesë e Bayern Munich U-19. Ai është stërvitur për një kohë të shkurtër në Mynih, para se të rikthehej përsëri te Dallas-i.

Pepi kërkon një skuadër ku të jetë protagonist në ekipin e parë dhe jo te moshat, apo ekipi i dytë. Pikërisht kjo është ajo çfarë i ofron Wolfsburg-u.

Edhe Real Madrid-i nuk ka mbetur pa hedhur vëmendjen nga Pepi. Sipas gazetarit sportiv, Fabrizio Romano, madrilenët kanë folur me agjentin e tij. Por, duket se amerikani preferon Bundesliga-n gjermane.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore