Përballje

Basketboll/ Golden Eagle Ylli triumfon në udhëtim te Sigal Prishtina


Kampioni në fuqi i Superligës së Kosovës në basketboll, Golden Eagle Ylli, e ka mposhtur në udhëtim Sigal Prishtinën me rezultat 68:86, në ndeshjen e javës së nëntë të Prince Caffe Superligës.

Kjo ishte fitorja e pestë radhazi për kampionët e Kosovës.

Çereku i parë ishte kryesisht i barabartë, ku asnjëra skuadër nuk arrinte shkëputjen e madhe, ndërsa përfundoi me epërsi prej tre pikësh nga mysafirët, 11:14.

Por, periudha e dytë u takoi prishtinasve. Bardhekaltrit me një seri të suksesshme krijuan epërsi prej 31:21, ndërsa më e larta ishte 40:29, kurse skuadrat shkuan në pushim me rezultat 40:31.

Por, periudhën e tretë e nisën furishëm kampionët e Kosovës, ku ngushtuar shifrat minimalisht në 42:41 dhe më pas zhvillohet një ndeshje interesante, ndërsa therandasit e kthyen epërsinë në të mirë të tyre, kurse shifrat në semafor pas 30 minutash ishin 50:57.

Therandasit edhe më shumë ngritën epërsinë në dhjetë minutat e fundit, 62:74 dhe 65:77, e më pas triumfuan me rezultat 68:86.

Më i dalluari te vendasit ishte Rrezart Memedi me 18 pikë, ndërsa te mysafirët, Valon Bunjaku me 21 pikë.

Të dy skuadrat kanë nga pesë fitore e katër humbje.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore