Shqipëria

Basha thotë se Berisha s’ia merr dot zyrën: Më 5 janar nuk ndodh asgjë


“Më 5 janar, dua t’u them që asgjë nuk do ndodhë. Partia Demokratike është e përgatitur për çdo situatë”.

Kështu është shprehur kryetari i Partisë Demokratike, Lulzim Basha të enjten e 30 dhjetorit, sa i përket pyetjes se çfarë do të ndodhë me PD-në më 5 janar, datë që deputeti i PD-së, njëkohësisht përfaqësues i Komisionit të Rithemelimit të dalë nga Kuvendi i 11 dhjetorit, Belind Këlliçi, i ka vendosur si “ultimatum Bashës për të liruar zyrat”.

Ky vendim është përkrahur dhe nga ish-kreu i PD-së, Sali Berisha, dhe disa deputetë.

Ai tha gjithashtu se “ëndrra e Edi Ramës për të parë një PD të damkosur me shpallje non-grata u godit më 9 shtator dhe u bë pluhur e hi më18 dhjetor”.

9 shtatorit kryedemokrati i referohet datës kur Departamenti Amerikan i Shtetit ka shpallur persona non-grata, Sali Berishën.

Ndërsa, sa i përket 18 dhjetorit lidhet me mbajtjen e Kuvendit Kombëtar të PD-së i thirrur nga vetë kryedemokrati ku u morën disa vendime.

“Demokratët kanë vendosur të bashkohen me njëri-tjetrit. Do t’i japin fund dhe qeverisjes më të korruptuar. Demokratët kanë zgjedhur të ardhmen”.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore