Shqipëria

Këlliçi vendos ultimatum Bashës: Liro zyrat para datës 5 janar


Deputeti nga radhët e Partisë Demokratike (PD), Belind Këlliçi, mesditën e 23 dhjetorit, përmes një dalje publike, ka njoftuar kreun zyrtar të demokratëve, Lulzim Bashën, “për shkarkimin e tij”.

Si përfaqësues i Komisionit të Rithemelimit të dalë nga Kuvendi i 11 dhjetorit, Këlliçi i ka vendosur ultimatum Bashës “të lirojë zyrat deri më datë 5 janar 2022”.

“Kërkohet që të merrni të gjitha masat për të jetësuar vullnetin e qartë të demokratëve, duke liruar ambientet e punës së kryetarit të partisë dhe duke kryer dorëzimet tek Komisioni deri më 5 janar”.

Përmes një prononcimi për median, ai tha se “vendimi u mor në përputhshmëri me statutin e PD-së”.

“Referendumi u mbajt në 18 dhjetor 2021 dhe rezultati i tij përfundimtar sanksionon se 43 mijë e 385 demokratë vendosën për shkarkimin tuaj nga detyra e kryetarit të partisë”, deklaroi ai.

Kanë qenë edhe përkrahës tjerë të ish-kreut të PD-së, Sali Berisha, që kanë mbështetur deklaratën, mes tyre dhe Albana Vokshi, Flamur Noka, Çlirim Gjata, Klevis Balliu, Floriana Garo, Tritan Shehu, Flamur Baçi, Bujar Nishani, Gent Strazimiri dhe Voltana Ademi.

Pse ky Kuvend sot?

Replikat midis Bashës dhe Berishës kanë filluar që prej muajit shtator.

Kryetari aktual e përjashtoi nga Grupi Parlamentar Berishën më 9 shtator.

Pas kësaj do të niste një lëvizje brenda demokratëve, të cilën Berisha do ta cilësonte fillimisht si “statutore”.

Më pas, ai ndërmori një seri foltoresh, derisa arriti në dorëzimin e 4 mijë e 200 firmave, dhe mblodhi Kuvendin e tij.

Por, nga ana tjetër, lideri i PD-së ka thirrur “Kuvendin e vërtetë” dhe legjitim të PD-së, duke mos njohur atë të Sali Berishës. Shpesh, në daljet publike, Basha e ka cilësuar Kuvendin e 11 dhjetorit “tubim”, ngjashëm me ato të ish-deputetit Tom Doshi.

Ndërkaq, këto shtatë ditë ndërmjet dy kuvendeve të thirrura nga një lider dhe ish-lider, kanë qenë të mbushura me akuza dhe kundërakuza, që shpesh kanë çuar edhe në përplasje verbale mes mbështetësve.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com

Lajmet kryesore