Shqipëria

Basha: Qeveria Rama, më e korruptuara në Ballkan dhe Evropë


Kryetari i Partisë Demokratike, Lulzim Basha, në një prononcim për mediat ka akuzuar qeverinë Rama për moszbatimin e reformës në drejtësi. Këto akuza erdhën pas rezultatit të raportit të Departamentit Amerikan të Shtetit (DASH).

“Qeveria më e korruptuar në Evropë dhe në Ballkan”.

“Sot e keni të zezë mbi të bardhë në raportin e DASH-it për numrin e lartë të korrupsionit. Qeveria e Shqipërisë nuk bëri asnjë përparim të dukshëm drejt pengimit të pastrimit të parave dhe krimeve financiare në vitin 2020. Shkak për këtë situatë dramatike është një dhe vetëm një: qeveria e dështuar dhe e korruptuar e Edi Ramës”.

Basha tha se, sipas DASH-it, investimet në pasuri të paluajtshme janë ndër metodat më të përhapura të pastrimit të të ardhurave të paligjshme.

“Krimet kryesore të gjenerimit të të ardhurave në Shqipëri përfshijnë trafikun e drogës, evazionin fiskal dhe kontrabandën. Korrupsioni qeveritar është nyja që i mban të lidhura bashkë”.

Basha nuk i kurseu akuzat ndaj qeverisë shqiptare për tenderat e kryer në kohë pandemie.

“SPAK ka marrë të pandehur zyrtarë të rangut të dytë të Ministrisë së Mbrojtjes. Në kulmin e pandemisë, qeveria ka vjedhur dhe shpërdoruar paratë e shqiptarëve për ushqim”.

Sipas Bashës, këto janë shkaqet e krizës që kanë mbërthyer vendin. Krimet, tha ai, kanë shkaktuar vuajtje, dhimbje, varfërim, papunësi dhe shpopullim.

“Ky është shkaku pse gjithçka ka ngecur dhe Shqipëria e shqiptarët mbajnë frymën”.

“Më 25 prill, vota juaj është garancia për këtë ndryshim. Garant, unë dhe qeveria që do të dalë nga vota juaj. Do të jemi të hapur para drejtësisë”.

“Zotohem para jush se akti im i parë dhe i fundit si kryeministër do të jetë garantimi i funksionimit të plotë të drejtësisë”.

“Duart lart nga drejtësia. Me funksionimin deri në fund të reformës në drejtësi dhe institucioneve”, përfundoi Basha.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore