Shqipëria

Basha për Albanian Post: “Trekëndëshi i Bermudas” shpallet ‘non grata’ së shpejti/Jam fajtor se kam lejuar dualizëm në PD


“Dy brinjët e tjera të ‘Trekëndëshit të Bermudës’ do të shpallen së shpejti non grata”.

Kreu i Partisë Demokratike, i është përgjigjur kështu një pyetjeje nga Albanian Post gjatë një konference për shtyp, ku ka folur për zhvillimet e fundit brenda kampit demokrat dhe “duelit” të tij me Sali Berishën, i cili sërish është ndalur në replika në distancë.

Basha ka deklaruar se ai ka informacione mbi shpalljen e Edi Ramës dhe Ilir Metës si non grata nga SHBA-të.

“Fatkeqësisht, Sali Berisha ia doli ta fitonte betejën për t’u shpallur i pari. Por radhën shumë shpejt do ta kenë të tjerët”, vijoi ai.

Më tej, kryedemokrati shtoi se ai dhe Partia Demokratike, nuk mund të merren me hallet e Berishës.

Sakaq, interesit të Albanian Post mbi tetë vitet e para dhe një stil të ri lidershipi që ai po sjell pas shpalljes së Berishës si i padëshiruar nga SHBA-të, Basha iu përgjigj se ka një faj në tetë vitet e para dhe ai lidhet me dualizmin e krijuar brenda PD-së.

Ai ka shtuar më tej se kur shikon të shkuarën, është e thjeshtë t’i thuash gjithçkaje të zezë sot. Por, ai ka marrë përsipër përgjegjësitë e veta, për shkak të një dualizmi që ka lejuar brenda demokratëve.

Gjithsesi, ai mendon se pikërisht ky dualizëm, nuk do ta dëmtojë PD-në.

“Dualizmi nuk do ta dëmtojë më PD dhe prej 9 shtatorit ka marrë fund. PD ka qenë dhe është e gatshme të përballet me çdo situatë. Ajo që  mund të them se është se mund të ruajmë qetësinë dhe do të mbrojmë interesin e demokratëve”, vijoi ai.

Sali Berisha dhe batalioni ‘non grata’

“Me zellin e një ish-komunisti, me gjuhën e mashtrimeve dhe gënjeshtrave, po sjell me vete një batalion non grata-sh”.

Kreu i Partisë Demokratike, Lulzim Basha, i është referuar mbledhjes së organizuar nga paraardhësi i tij, Sali Berisha, në ambientet e Partisë Demokratike, si një rikujtuesë e trazirave të vitit 1997, duke i quajtur mbështetësit e ish-kreu të PD-së “batalion non grata-sh dhe organizatë anti-amerikane”.

Sipas Bashës, dita e sotme ka qenë një shenjë tjetër e ndarjes së plotë të demokratëve.

Nga ana tjetër, ai e bëri të qartë sërish, se Kuvendi i Partisë Demokratike do të mblidhet më 18 dhjetor. Për të, përtej faktit se ai do të jetë institucional – ndryshe nga i 11 dhjetorit – do të jetë edhe një Kuvend madhështor, ku demokratët pjesëmarrës nuk do të shantazhohen.

Sali Berisha dhe Lulzim Basha në hyrje të Partisë Demokratike

Pra, me anë të kësaj fjalie, Basha pretendon se Berisha ka ushtruar presion ndaj pjesëmarrësve në Kuvendin e zhvilluar më 11 dhjetor.

Me mbledhjen e Këshillit Kombëtar më 12 dhjetor, Basha thekson mendimin e tij se anëtarësia, nuk iu përgjigj kërkesës së Berishës për bojkot. Ndërsa, 11 dhjetori, nuk prodhoi asgjë sipas tij.

“Ky është një vit i mbrapshtë”, nënvizoi Basha. “Sali Berisha është sot problemi i PD-së dhe duhet ta lëmë pas atë.

Kreu i bluve përkufizon rishtazi se Berisha nuk mund ta marrë peng forcën e djathtë. Aq më pak, që interesat e tija dhe të familjes së tij, t’ia lërë në shpatulla partisë dhe demokratëve.

Beteja e Bashës do të vijojë të jetë ajo përballë Edi Ramës dhe “trekëndëshit të Bermudës”. Ndërsa zgjidhjen për shqiptarët, Basha e gjen vetëm tek Partia Demokratike.

“Në vend që të merremi sot me varfërinë në Shqipëri, me familjet që harxhojnë buxhetin e tyre për fatura dritash uji, merremi me përçarje brenda vetes”, vijoi ai.

Basha, me tone të ashpra, tha se Berisha vijon të jetë një “tub oksigjeni për regjimin e Edi Ramës”. Kështu, duke e bërë të qartë se ish-kreu demokrat, “është një patericë për PD-në”.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore