Shqipëria

Basha ngre akuza për sektorin e ndërtimit: Mbi 2 miliardë euro janë pastruar, sipas raporteve ndërkombëtare


Kreu i Partisë zyrtare Demokratike, Lulzim Basha, përmes një postimi në median sociale Facebook, ka akuzuar drejtpërdrejt Qeverinë dhe pushtetin vendor, duke thënë se mbi 2 miliardë euro, sipas raporteve ndërkombëtare, janë pastruar përmes sektorit të ndërtimit në Shqipëri.

Ndër raportet për këtë çështje, Basha përmend tre të tillë, mes të cilëve edhe një të Departamentit Amerikan të Shtetit.

Ky i fundit, në fjalët e Bashës, e përmend Shqipërinë si një “destinacion kryesor të pastrimit të parave”.

Në vitin 2020 ndërkaq, vijon Basha, Iniciativa Globale kundër Krimit të Organizuar Transnacional (GITOC) konstatoi se ndërtimet në Shqipëri ishin një mënyrë e preferuar për pastrimin e parave.

Ndërsa, për vitin 2021, arrestimi i dhjetëra anëtarëve të Ndranghetës në Itali zbuloi lidhjet e tyre me sektorin e ndërtimit në Shqipëri.

“Përgjimet si pjesë e hetimit zbuluan se njëri prej të dyshuarve ka deklaruar: Në rrokaqiejtë e rinj, çmimet shkojnë rreth 3 mijë e 800-4 mijë euro për metër katror. A e dini sa është kostoja e vërtetë? 510 euro”, përmend kryedemokrati.

Më tej, ai nënvizon se ndonëse SPAK nisi një hetim paraprak në shkurt të vitit 2021, nuk ka akoma asnjë të dhënë se çfarë po ndodh me këtë hetim.

“Miliona metra katrorë leje ndërtimi raportohen se janë dhënë në Tiranë vitet e fundit. Shumica e kompanive nën emrin e të cilave merren lejet e ndërtimit nuk kanë kapacitetet financiare për t’i përfunduar ato. Bilanci i kompanive tregonte se ato kanë të ardhura minimale dhe nuk kanë asete apo kredi që mund të përdoren për financimin e projekteve”, përsiat Basha.

Për këtë, ai radhit edhe katër pyetje: Nga vijnë këto para? Kush fshihet pas tyre? Kush dhe si i siguron lejet e ndërtimit në emër të këtyre kompanive modeste? Paratë e kujt po pastrohen me ndërtimet në Tiranë?

Teksa, përmes këshilltarëve bashkiakë në Tiranë, PD-ja ka kërkuar të dhëna të plota mbi lejet e ndërtimit në kryeqytet.

“Bashkia e Tiranës e ka detyrim të bëjë transparencë për lejet e dhëna, ndërsa SPAK duhet të ndërmarrë një hetim të thellë e të papenguar në mënyrë që Tirana të mos jetë oaz i krimit dhe politikanëve të korruptuar që pastrojnë paratë në sektorin e ndërtimit”, përmbyll Basha publikimin e tij.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore